Një familje katër anëtarëshe nga Maqedonia aksidentohen në Greqi, të gjithë dërgohen në spital

Një familje katër anëtarëshe nga Maqedonia është lënduar në një aksident trafiku që ndodhi herët këtë mëngjes në autostradën drejt Selanikut, në hyrje të Greqisë, pasi për arsye ende të panjohura, automjeti ka dalë nga rruga. Sipas mediave lokale, të gjithë pasagjerët u transportuan në spital.

Sipas mediave greke, aksidenti ndodhi rreth orës 08:15 të mëngjesit, dhe në automjet ndodheshin një çift bashkëshortësh të moshës 48 dhe 50 vjeç, së bashku me dy fëmijët e tyre të mitur, 11 dhe 15 vjeç.

Automjeti doli nga rruga dhe u rrokullis, ndërsa në aksident nuk kanë qenë të përfshira mjete të tjera. Sipas informacioneve, dhjetë zjarrfikës me gjashtë mjete ndërhynë për të nxjerrë burrin nga automjeti i rrokullisur.