Nivelizimi i njësive zgjedhore: Njësia 6 kthehet në binaret e ligjit

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) mbështet të gjitha ligjet që janë në procedurë parlamentare, por kërkon edhe nga partitë tjera që të kontribuojnë në miratimin e këtyre ligjeve, me qëllim që ti hapet rrugë shpërbërjes së Parlamentit dhe vendi të shkojë në zgjedhje. “BDI në tërësi i përkrah të gjitha ligjet që janë në procedurë, miratimin e tyre sa më të shpejtë, mundësisht edhe sot. Përkrah Ligjin për media, për mbrojtje, lojërat e fatit, dhe gjithë ligjet tjera që janë në procedurë përfshi edhe atë të Ligjit për Prokurori de Këshillit të Prokurorëve dhe kërkojmë që të miratohet i njëjti”, deklaroi Artan Grubi, deputet i BDI-së. Grubi gjithashtu hodhi poshtë zërat për mospajtime me partnerin e koalicionit qeveritarë, LSDM. “BDI-ja ligjin për Prokurori dhe ligjin për Këshillin e Prokurorëve nuk kushtëzon me kurrfarë ligji dhe kurrfarë procedure, as me Kodin Zgjedhor. Miratimin e Ligjit për Prokurori Publike ne deputetët e BDI-së njëzëri do ta votojmë, edhe Ali Ahmeti do të vij nga Kërçova për të votuar ligjin në fjalë”, tha Grubi.

Në një linjë me BDI për këtë çështje është edhe kreu i LSDM-së, Zoran Zaev. Ai ka shfaqur bindjen se ligjet do miratohen, dhe se Parlamenti do të shpërndahet në kohë, ndërsa zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 12 prill. “Parlamenti nuk duhet të lejojë që me çfarëdo lojëra dhe çfarëdo plane të shkelet procesi i diskutimit – të drejtat e deputetëve dhe në fund e drejta të votohen ligjet. Mund të ketë dy të tretat, mund të mos ketë dy të tretat, por është e rendit, korrekte dhe e ndershme para shtetit të japim mundësi të votohen këto ligje të rëndësishme”, tha Zaev.

Ndërkohë lidhur me Kodin Zgjedhor, partitë politike tanimë janë dakorduar për implementimin e rekomandimeve të OSBE-ODHIR-it, si dhe për nivelizimin e njësive zgjedhore. “Tashmë është dakorduar Kodi zgjedhor dhe është nënshkruar nga të gjithë koordinatorët e grupeve parlamentare. Së shpejti pritet hyjë në procedurë. Në të janë të gjithë ndryshimet nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-së dhe është pranuar edhe amendamenti i BDI-së për ndryshimin e kufijve të njësive zgjedhore. Konkretisht disa vendvotime do të kalojnë nga njësia e gjashtë në njësive e pestë. Janë vendvotime të Dibrës dhe Movrovë-Rostushës”, deklaroi Artan Grubi, deputet i BDI-së.

Sipas marrëveshjes së dakorduar nga njësia numër 6 në njësinë numër 5 duhet të kalojnë 19.420 votues. Njësia numër 6 momentalisht e kalon pragun për 3.6 për qind (+8.6 për qind), kështu që nga njësia 6 në njësinë 5 kalojnë vendvotimet e Dibrës dhe Mavrovë-Rostushës. Por, ka mundësi që me këto ndryshime të përfshihet edhe njësia zgjedhore numër 2. Nga njësia zgjedhore numër 2 duhet të hiqen 11.506 votues dhe të shtohen në njësinë numër 3. Meqë njësia 3 është nën prag prej 2.6 për qind (-7.6%), ndërsa njësia 4 për 1.3 për qind (6.3%). Sipas projeksioneve të nivelizimi, vendvotimet e Komunës së Nagoriçanit të Vjetër dhe Gazi Babës kalojnë në njësinë 3, ndërsa njësisë katër i shtohen vendvotimet e Komunës së Demir Hisarit.