Niveli i ndotjes së ajrit është në përmasa shqetësuese

Stacionet matëse edhe sot kanë treguar nivel të lartë të ndotjes së ajrit në më shumë komuna të vendit. Ministria e Ambientit Jetësor njoftoi se nivelet e grimcave të dëmshme PM10 dhe PM 2,5 kanë kaluar pragun e lejuar në qytetin e Tetovës dhe në Strumicë, ndërkaq edhe shumica e komunave të Shkupit, Kavadari, Kumanova, Velesi e Kërçova, po ashtu kanë regjistruar nivel shqetësues ndotjes.Sektori civil kërkon që shteti ta ketë prioritet zgjidhjen e problemit me ajrin e ndotur. “Qeveria patjetër të merret më seriozisht me këtë problem dhe jo të kemi shkurtim të buxhetit dhe të ri dedikohen për qëllime tjera. Absolutisht nuk besoj në masat afat shkurte të cilat i paralajmërojnë autoritetet me vendosjen e transportit publik falas sepse kjo është një lloj shmangie e pasojave. Kjo është vetëm një ulje e vogël e ndotjes e cila nuk ka asnjë ndikim serioz. Ne duhet t’i marrim parasysh të gjithë aspektet që ndikojnë në ndotje, aty hyn ndërtimet enorme, numri i madh I automjeteve, mungesa e druve jo e gjelbërimit”, deklaroi Tatjana Stojanovska, aktiviste.

Në një intervistë për agjencinë shtetërore të lajmeve, ministri i Ekologjisë Naser Nuredini ka deklaruar se derisa nuk ndërrohet mënyra e ngrohjes nuk do të ketë zgjidhje afatgjate të ndotjes së ajrit.“Sa i përket ndotjes së ajrit, e miratuam ligjin plotësues për cilësi të ajrit pas çka i përcaktuam masat për vetëqeverisjen lokale, të cilat duhet t’i ndërmarrim në rast të kulmit të ndotjes. Megjithatë, besoj se të gjithë e kemi të qartë se derisa nuk e ndërrojmë mënyrën e ngrohjes së ndërtesave publike dhe private dhe amvisërive, shpresojmë se do ta arrijmë me ndërtimin e rrjetit të gazsjellësit dhe mbështetjes së investimeve në efikasitetin energjetik e dhënë nga ana e Qeverisë qendrore dhe lokale, nuk do të kemi zgjidhje afatgjate të këtij problemi”, tha Naser Nuredini, Ministër i Ekologjisë.

Sipas raportit të KE-së për vendin, gjatë vitit të ardhshëm Maqedonia e Veriut duhet ta përmirësojë koordinimin ndërsektorial dhe t’i risë resurset financiare për ulje të ndotjes në nivel lokal dhe kombëtar dhe të ndërmerr hapa të rëndësishëm në vendosjen e sistemit për menaxhimin me mbeturinat.