Nisma për të ‘bllokuar’ Diellin, çfarë mund të shkojë keq nga projekti i financuar nga Bill Gates

Bill Gates është duke financuar një projekt për ndërtimin e një teknologjie që do të reduktonte rrezet e diellit që do të hyjnë në atmosferën e Tokës, në një përpjekje që mendon se do të ndalojë ngrohjen globale.
Eksperimenti i quajtur “SCoPEx” (Stratospheric Controllet Perturbation Experiment) po kryhet nga shkencëtarë të Universitetit të Harvardit për të parë mundësinë e hedhjes në stratosferë të karbonatit të kalciumit jotoksik, një përbërës që reflekton rrezet e diellit dhe teorikisht mund të ndalë ngrohjen globale.

Por, ndër vite përpjekjet për të aplikuar këtë teknologji janë ndaluar për shkak të kundërshtive që shkaktojnë. Shumë ekspertë mendojnë se përpjekjet gjeo-inxhinierike për të kufizuar rrezet e diellit vijnë me pasoja dhe rreziqe të paparashikuara, përfshirë këtu ndryshime ekstrem të motit, që mund të jenë edhe më të dëmshme se sa ngrohja globale.

Për shkak të këtyre kundërshtive, SCoPEx është duke i hedhur hapat ngadalë dhe të matur. Hapi i parë është parashikuar për në qershor të këtij viti në qytetin suedez të Kirunas, ku autoritetet vendase kanë rënë dakord që të ndihmojnë në hedhjen në 20 kilometra lartësi të një balone, që nuk do të lëshojë asnjë aerosol, por thjesht do të shërbejë si testim për manovrimin dhe komunikimin me të.

Nëse kjo fazë do të rezultojë e suksesshme, atëherë i hapet rruga fazës së dytë, që shkencëtarët e Harvardit kanë parashikuar hedhjen në atmosferë të një sasie të vogël pluhuri karbonati kalciumi (CaCO3).
David Keith, profesor i fizikës së aplikuar në Universitetin e Harvardit njeh shqetësimet e kundërshtarëve të kësaj teknologjie. Ai pranon se për momentin askush nuk është në gjendje që të parashikojë pasojat që mund të mbërrijnë nga hedhja e pluhurit të karbonatit të kalciumit në atmosferë, por nuk përjashton efektet pozitive.

Keith kujton punën kërkimore që ka publikuar në 2017-ës, sipas të cilës teorikisht kjo teknologji mund të ndikojë pozitivisht duke përforcuar shtresën e ozonit në zonat ku kjo shtresë është më shumë e dëmtuar.
Problemi është se shkencëtarët sot nuk e dinë se sa është sasia e duhur e CaCO3 për të ftohur planetin dhe as nëse ky aerosol është i duhuri. Studimet fillestare sugjerojnë se kjo substancë është “pothuajse ideale” për këtë punë, duke përthithur rrezet diellore me radiacion të lartë.

Mbështetësit e kësaj teknologjie e bazojnë teorinë e tyre me shpërthimet vullkanike, që lëshojnë tym e hi në atmosferë në sasi të mëdha, duke penguar rrezet e diellit. Ata kujtojnë vitin 1815, njohur ndryshe edhe si “viti pa stinën e verës” pas shpërthimit vullkanik në Malin Tambora në Indonezi, ndërsa në 1991, shpërthimi në Pinatubo në Filipine uli temperaturën mesatare globale me 0.5 gradë celcius.