Lira turke ka rënë në nivel rekord në raport me dollarin amerikan për shkak të shqetësimeve të investitorëve rreth ekonomisë turke, të go*ditur nga pandemia dhe përçarjet me aleatët e NATO-s.
Presidenti turk, Rexhep Erdogan, është përplasur shpesh me Francën dhe Shtetet e Bashkuara.
Analistët thonë se në mesin e shkaqeve për rënien e vlerës së valutës kombëtare janë edhe inflacioni prej 11.7 për qind muajin e kaluar dhe refuzimin e Bankës Qendrore për ta rritur shkallën e interesit.
Sipas analistëve të tregut të valutave, shtrirja e politikave të Erdoganit në Libi, Siri, Qipro dhe Kaukaz i ka shqetësuar investitorët.
“Tensionet e ngritura gjeopolitike me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian janë burime të reja të dobësimit të lirës”, tha një tregtar turk i valutave, i cituar nga agjencia Reuters.
Lira turke e ka humbur për 26 për qind vlerën e vet këtë vit dhe raportohet se autoritetet turke i kanë shpenzuar 134 miliardë dollarë amerikanë gjatë 18 muajve të kaluar në përpjekje për ta forcuar valutën.
Më 23 tetor, presidenti turk konfirmoi se Turqia e ka testuar sistemin raketor rus, S-400, ndërsa të dielën reagoi ndaj kritikave të Shteteve të Bashkuara për marrëveshjen me Rusinë, duke thënë: “Ju nuk e dini me kë jeni duke luajtur. Vazhdoni me san*ksionet tuaja”.
Turqia është kritikuar edhe nga Bashkimi Evropian për shkak të eksplorimit të gazit në ujëra të kontestuara në kufi me Greqinë dhe Qipron, duke e paralajmëruar për sanksione të mundshme.