Nisin bisedimet me vendet e BE për prodhim maskash nga fasonet shqiptare

Qeveria shqiptare nis bisedimet me vendet fqinje dhe ato të BE-së për bashkëpunim mes kompanive shqiptare të fasonit për prodhimin e maskave dhe veshjeve mbrojtëse ndaj Covid 19.

Ministri i Rindërtimit, Arben Ahemetaj i kthen përgjigje fasonit, ku shprehet se po shikohet mundësia e bashkëpunimit të kompanive të huaja me ato shqiptare për prodhimin e maskave.

“Në përgjigje të shqetësimit të ngritur prej jush në lidhje me ecurinë e aktivitetit të sektorit të prodhimit të veshjeve dhe këpucëve, me material porositës, si pasojë e situatës ekonomike të krijuar në kushtet e pandemisë covid 19, dëshiroj t’ju bëj me dije në emer të qeverisë shqiptare se janë duke u vlersuar me kujdes efektet e shkaktuara në këtë sektor, si në çdo sektor tjetër të ekonomisë.

Një grup i posaçëm pranë Ministrisë të Rindërtimit dhe Ministrisë të Financave është në përfundim të procesit të vlersimit, të sugjerimeve dhe propozimeve të sipërmarrjeve në disa sektor, përfshirë edhe fasonin, duke konsultuar praktikën e ndjekur në këto kiushte edhe nga vendet e tjera, dhe shumë shpejt në ditët në vijim do të konkludojmë propozimet konkrete për masa potenciale mbështetjeje.

Gjithashtu personalisht kam kontaktuar me qeveritë e vendeve fqinje dhre ato të BE-së, për të kërkuar bashkëpunimin e tyre me kompanitë shqiptare, duke i përshtatur kërkesat në funksion të situatës emergjente, për prodhimin e maskave, veshjeve dhe këpucëve.

Qeveria shqiptare është terësisht e angazhuar për të mos lënë asnjë sektor të ekonomisë pa vëmendje dhe brenda mundësive tona, të mbështesim me masa të dedikuara jo vetëm për vazhdimin e aktivitetit, por mbi të gjitha për vazhdimin e pagesave ndaj punonjsve, të cilat gjithashtu në këtë moment, nuk duhet të lihen jashtë vëmendjes nga kompanitë”, thuhet në letrën e ministrit Ahmetaj për këtë industri.

Burime nga Shoqata ProEksport pohojnë se ka një kërkesë të lartë për maska nga Gjermania, Italia e të tjera. Vetëm një kompani nga Gjermania ka kërkuar 1.5 milionë maska. Një tjetër kompani kërkon 30 milionë maska, ndërsa është ende në negociata me sipërmarrjet shqiptare. Shumë kompani ndërkohë po konvertojnë veshjet në prodhime mjekësore, në atë që duket e ardhmja e fasonit, të paktën në afatin e shkurtër.

Pak ditë më parë Shoqata Kombëtare e Punëdhënësve “Proeksport Albania”, përfaqësues i kompanive që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve me material porositësi, i dërgoi një letër qeverisë nëpermjet të cilës, paralajmëroi një situatë të vështrë financiare të sektorit fason në fushën e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve dhe pamundësi për të paguar pagat.