Nis kursimi: Beni dush më rrallë, hekurosni vetëm kur është patjetër!

Që sot hyjnë në fuqi masat për kursim të energjisë elektrike deri në 15 për qind, ndërsa me këtë fillon të vlejë edhe gjendja e jashtëzakonshme për energjinë elektrike dhe atë ngrohëse.

Masat e kursimit të energjisë elektrike të miratuara nga Qeveria më 16 gusht do të vlejnë deri më 31 mars të vitit 2023, ndërsa gjendja e jashtëzakonshme e shpallur më 25 të këtij muaji duhet të zgjasë 30 ditë.

Sipas Qeverisë, po përballemi me një nga dimrat më të vështirë energjetik dhe të gjithë duhet të kontribuojmë që ta kalojmë më lehtë.

Fikja e ndriçimit dekorativ në fasadat e ndërtesave publike dhe monumenteve kulturore, fikja e llambave kur ka dritë të mjaftueshme, ftohja me kondicioner në jo më pak se 27 gradë Celsius dhe ngrohja në maksimum 20 gradë Celsius, fikja e kompjuterëve pas përfundimit të punës, ndërrimi i rregullt i filtrave të njësive të ngrohjes dhe kondicionerëve, shtypja vetëm e materialeve të nevojshme, zëvendësimi i dritareve me efikasitet energjetik, janë vetëm një pjesë e detyrimeve që duhet të zbatojnë institucionet shtetërore.

Rekomandimet për sektorin e biznesit janë gjithashtu të ngjashme – fikja e ndriçimit dekorativ në fasadat e të gjitha ndërtesave, përdorimi i dritës së ditës për hapësirat e brendshme, sallat dhe zyrat në ndërtesa gjatë periudhës kur është e mundur, ftohja e objekteve prodhuese, sallave dhe zyrave me kondicionerë në më pak se 27 gradë Celsius dhe ngrohje në maksimum 20 gradë Celsius, fikja e kompjuterëve pas përfundimit të punës, zëvendësimi i llambave të vjetra me ato kompakte fluoreshente, ndryshimi i rregullt i filtrave të elementeve të ngrohjes, instalimi i pompës së nxehtësisë si një mjet shumë efikas, sistem për ngrohje, ftohje dhe për përgatitjen e ujit të ngrohtë gjatë ndërtimit të ndërtesave të reja apo rindërtimit të të vjetrave, aplikimit të teknologjive të reja për performancë më të mirë energjetike të impianteve industriale,…

Amvisërive u rekomandohet të ndezin ngrohësin e ujit sipas nevojës dhe mundësisht me energji elektrike të lirë, të ndezin lavatriçet dhe lavastoviljet vetëm kur janë plot dhe gjithashtu me energji elektrike të lirë, përdorim të arsyeshëm të pajisjeve ngrohëse, përdorim maksimal të dritës së ditës dhe nxehtësisë nga dielli, fikja e llambave kur nuk qëndron në dhoma të caktuara, gatimi në pjata më të vogla ose në pjata të përshtatshme me madhësinë e pllakës së nxehtësisë, ajrosje e shkurtër dhe intensive e hapësirave.

Vendimet për ekzistimin e gjendjes së krizës në furnizimin me energji termike në zonën e qytetit të Shkupit dhe në furnizimin me energji elektrike në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë marrë me propozim të Këshillit drejtues për Koordinimin dhe Menaxhimin në sistemin e menaxhimit të krizave.

“Vendimi i parë është marrë për shkak të mungesës së energjisë ngrohëse, mundësisë së përdorimit të lëndëve djegëse alternative dhe kushteve të tregut të energjisë ngrohëse, dhe i dyti për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe kushteve të tregjeve të energjisë elektrike”, informoi shërbimi për shtyp pas seancës së 74-të të qeverisë të mbajtur më 25 gusht.