Nis konferenca në Dhomat e Specializuara, prezent edhe Salih Mustafa

Ka nisur në Dhomat e Specializuara konferenca lidhur me ecurinë e çështjes në rastin e gjykimit të ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa. Në këtë konferencë është prezent edhe Salih Mustafa, ndërsa gjatë kësaj konference do të shtjellohen çështje të ndryshme. Procedurat mund të vendoset të zhvillohen në seancë private. Në këtë rast, Dhomat e Specializuara e ndalin zërimin, ndërsa transmetimi vijon.

Mustafa u arrestua më 24 shtator në shtëpinë e tij në periferi të Prishtinës, pasi i ishte konfirmuar aktakuza për dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë këtu veprat penale si: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Ky arrestim ishte i pari që nga themelimi i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – në vitin 2015.

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, gjatë paraqitjes së parë para Dhomave të Specializuara në Hagë më 28 shtator, kishte zgjedhur që të mos deklarohej rreth akuzave për krime lufte që rëndojnë ndaj tij. Sipas rregullave të Dhomave të Specializuara, Mustafa ka të drejtë që në një periudhë brenda 30 ditësh të deklarohet i pafajshëm apo i fajshëm për akuzat ndaj tij.