Nis faza e dytë, ja kur pritet të përfundojë Teatri i Tetovës

Këtyre ditëve ka filluar faza e dytë e ndërtimit të Bibliotekës dhe Teatrit të Tetovës. Pikërisht pas përfundimit të ndërtimit të objektit në fazën e parë, tashmë operatori i cili ka marrë tenderin për fazën e dytë ka nisur edhe punët në brendinë e tij. Mjetet janë ndarë për këtë vit dhe punët rrjedhin sipas asaj që është parashikuar, thotë drejtori i Qendrës për Kulturë në Tetovë, Arlind Huseini. Sipas tij, kontrata me operatorin teknik është nënshkruar vitin e kaluar dhe pritet që brenda pesë viteve ky objekt të përfundojë.

Nga Qeveria vitin e kaluar janë ndarë 69 milionë denarë, kurse këtë vit 200 milionë denarë për këtë fazë të ndërtimit të këtij objekti. “Mjetet i kemi të ndara për pesë vite me radhë, duke filluar nga viti 2021, ku kësti i parë është paguar dhe punët janë duke u zhvilluar me një intensitet të lartë. Ndoshta pesë vite duken shumë por ka shumë punë që duhen bërë. Ne si institucion jemi të angazhuar maksimalisht që ky objekt të përfundojë sa më shpejtë dhe në kohë, pra në vitin 2025 respektivisht në dhjetor të atij vitit, është afati i fundit kur duhet të mbyllen punët. Pagesa e fundit duhet të bëhet në vitin 2026”, deklaroi drejtori i qendrës për kulturë në Tetovë, Arlind Huseini.

Në këtë periudhë është duke u punuar në vendosjen e sistemit të rrjetit elektrik dhe ndarjes së objektit në brendi, për mbikëqyrjen e punëve është angazhuar kompani nga jashtë e cila do të ndjekë rrjedhën e punimeve në këtë objekt kapital. “Në këtë fazë, apo në këto momente është duke u punuar në sistemin e rrjetit elektrik. Kjo fazë ka shumë punë dhe pastaj do të pasojnë edhe fazat tjera me vendosjen e zërimit, enterierit e kështu me radhë. Normal që është e vështirë kjo fazë, nuk është e lehtë sepse objekti është 28 mijë metra katrorë, por me angazhimin e operatorit ekonomik dhe kompanive tjera nga jashtë që janë duke ndjekur punimet, shpresojmë që në vitin 2025 do të kemi një objekt ashtu siç është paraparë dhe siç e meriton Tetova”, deklaroi Huseini.

Ndërtimi i fazës së parë të objektit të Bibliotekës dhe Teatrit ka kushtuar 13 milionë euro dhe ka zgjatur pesë vite. Për fazën e dytë janë paraparë 26 milionë euro që do të thotë se tërë objekti i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës deri në lëshimin nën përdorim shtetit do t`i kushtojë 39 milionë euro.