Nipi i bën thirrje dajës: Ali Ahmeti, mos digj jorganin për një plesht

“Ali Ahmeti, reflekto dhe mos digj jorganin për një plesht. Abaz, ruaj tufën se pa ugiqin (dashin) ka kohë që ke mbetur”
Me këto porosi për kreun e BDI-së, Fatmir Limani, nip i Ali Ahmetit ka shpallur kandidaturën për Komunën e Kërçovës si i kandidat i pavarur, në shenjë revolte për pakënaqësitë e tij, ndaj zhvillimeve në BDI. Ai tha se ka dhënë dorëheqje edhe nga pozitat e tij në Elem dhe nuk do të mbajë asnjë post. Limani deklaroi se arsyet pse do të kandidohet si i pavarur janë për shkak të dështimeve të BDI-së në përgjithësi dhe në veçanti të kryetarit aktual të komunë së Kërçovës. Ai akuzoi pushtetin aktual se ka dështuar në arsim, në investimet ekonomike dhe në ekologji. Gjëra të cilat kanë shkaktuar largimin e rinisë nga qyteti.

Trishtuese është se shkollat fillore shkatërrohen dhe mësimet shënojnë rritje në kuptimin e asaj se në gjimnaz rritja e fenomeneve të përdoruesve të drogës dhe alkoolit kalojnë në mbi 60%, punësimi i mësimdhënësve pa asnjë lloj kriteri dhe të padiplomuar është gjithnjë e në rritje, korrupsioni, vjedhjet, përvetësimi i pronave publike, reketimi, kriminaliteti në të gjitha fushat s’ka kufi e s’ka të ndalur”, tha Fatmir Limani, kandidat i pavarur për Kërçovën.

Limani ka folur edhe për përçarjet në BDI. Ai akuzoi kreun e partisë, Ali Ahmeti se nuk i merr parasysh vendimet e marra nga të gjitha strukturat, gjë e cila sipas tij, e çon BDI-në drejtë shkatërrimit. Limani tha se BDI ka devijuar ideologjikisht nga momenti që ka spastruar nga radhët e saj elementin e atdhetarëve, luftëtarët dhe të burgosurit politik.

Edhe para disa ditësh u shpreha. Ali Ahmeti, reflekto dhe mos e digj jorganin për një plesht, mos e humb Izet Mexhitin sepse dërgon me vetëdije BDI-në në histori. Edhe kjo porosi hasi në vesh të shurdhër. Me një fjalë subjekti i BDI-së është nisur drejt bashkim – shkrirjes me LSDM-në, koncept i cili në këtë vend nuk do të përbihet edhe për 1000 vitet e ardhshme”, pohoi Fatmir Limani, kandidat i pavarur për Kërçovën.

Limani ka shtuar se më shumë sqarime për kandidaturën e tij të pavarur do të japë edhe gjatë emisioneve debative, ku do të shpalos edhe programin e tij, si kandidat i pavarur në zgjedhjet lokale të tetorit.
Alsat ka tentuar të marr prononcim nga kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari lidhur me akuzat e Fatmir Limanit, por i njëjti i njëjti nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike si dhe mesazheve të dërguara.