Nikulaj u vra për gjakmarrje/ Hasmi pagoi një portugez dhe 4 anglezë për vrasjen

Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin dyshohet se është planifikuar në Londër ku jetonin 6 anëtarët e grupit kriminal që kryen ekzekutimin.

Zbatimi i planit nisi para 3 muajsh, kur Edmond Haxhia mbërriti në Shqipëri dhe nisi të studionte lëvizjet e objektivit dhe rrugët që do të ndiqnin pas kryerjes së vrasjes.

Pas Haxhiajt, më 14 shkurt në Shqipëri mbërriti ekzekutori portugez Ruben Saraiva, i cili qëndroi në Shkodër për gati dy muaj në një banesë të marrë me qira dhe shpesh herë është kapur nga kamerat e sigurisë dhe pranë lokalit “Coral” në Shëngjin duke ndjekur objektivin e tij. Në pjesën më të madhe të rasteve, ai lëvizte me të njëjtat rroba dhe me të njëjtin maskim.

Ndërsa në muajin mars, mbërritën 3 britanikë mes tyre dhe një vajzë që kryenin rolin e vëzhguesit duke u fshehur mes dukjes si turistë. Ata kanë shkuar edhe brenda lokalit që konsiderohej vendi më i sigurt për Ardian Nikulajn dhe kishin fotografuar ambientet dhe studiuar daljet. I fundit në Shqipëri ka mbërritur Steven Hunt, i cili erdhi nga Rinasi më 11 prill dhe dyshohet se ishte personi që njoftoi Ruben Saraivën se objektivi ishte i vetëm në tavolinë dhe mund të vepronte.

Të gjithë lanë Shqipërinë brenda 2 ditëve pasi kryen vrasjen por nuk mundën të fshehin gjithë gjurmët e lëna pas. Dëshmi të personave që kanë ndjekur lëvizjet dhe takimet e ndodhura mes tyre në javët e qëndrimit në shtëpi, mjetet e marra me qira, si dhe sende të përdorura prej tyre shërbyen për identifikimin e tyre dhe dokumentimin e autorësisë në vrasje.
Policia mundi vetëm të gjejë se kush fshihej pas vrasjes por asnjë prej autorëve nuk mundi dot ta verë në pranga pavarësisht se ndaj tyre ka një urdhër ndërkombëtar ndalimi të dhënë nga gjykata. Tashmë është përgjegjësia e autoriteteve europiane që të lokalizojnë dhe arrestojnë këtë grup kriminal.

Top Channel