Nikollovski: Nuk do të ketë Qeveri me BDI-në pas zgjedhjeve

Aleksandar Nikollovski nga VMRO-DPMNE, ka deklaruar se pas zgjedhjeve një gjë është e sigurt, se ata nuk do të bëjnë koalicion me BDI-në. Në intervistën për Radio Evropa e Lirë, Nikollovski, ka deklaruar se një nga arsyet për rejtingun e ulët të LSDM-së, është për shkak se ata nuk e kanë realizuar premtimin e tyre të vitit 2016, kur lideri i partisë, Zoran Zaev, tha se nuk do të hyjnë në koalicion me “kriminelët dhe bandat” nga BDI.

“Kjo udhëheqësi e BDI-së për fat të keq gjithçka ka kriminalizuar deri në maksimum, po thuajse nuk ka ditë në të cilën nuk ka ndonjë aferë për përfaqësues të BDI-së. Kjo është sjellje të cilën askush nuk mund ta toleroj dhe sjellje që duhet të hetohet nga organet dhe jo të jetë pjesë e punës qeveritare, për shkak se ne dalim me programin tonë dhe këtë program nuk mund ta zbatojnë njerëz të cilët shkojnë në mëngjes në punë dhe mendojnë se si të keqpërdorin diçka ose të bëjnë krim”, ka thënë Nikollovski.