Nikollovski: Jemi të hapur për bashkëpunim me ASH-AAA, mund ta rrëzojmë Qeverinë

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski në paraqitjen e tij të sotme në Alsat në emisionin “360 gradë” tha se janë të hapur për bashkëpunim me Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën. Nikollovski tha se përveç për zgjedhjet lokale, VMRO shpreson që me këto parti do të bashkëpunojnë për siç tha ai “rrëzimin e Qeverisë”.

“Mundësia është e hapur, vendi është i hapur. Në pjesën e zgjedhjeve lokale do të duhet të bisedojmë detajisht, si dhe në çfarë cilësie do të ishte bashkëpunimi. Para zgjedhjeve lokale ne mund të bisedojmë për rrëzimin e këtij pushteti dhe për një shumicë të re parlamentare që do të na çonte deri tek zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, tha mes tjerash Nikollovski.

I pyetur se si do ta rrëzojnë pushtetin aktual, Nikollovski tha se për këtë po realizojnë bisedime me deputetë nga shumica parlamentare, që nuk janë pjesë e BDI-së dhe e LSDM-së.
“Bisedojmë me deputetë nga shumica qeverisëse, që nuk janë pjesë e LSDM-së dhe nuk janë pjesë e BDI-së që të na bashkohen në këtë betejë, dhe mund të them se bisedimet po shkojnë mirë”, tha Nikollovski.