Nikolloski: Për një orë e njëzet minuta do të mund të arrihet nga Shkupi në Ohër

Pas 50 vitesh diskutime dhe njoftime, fillojmë me punime reale në terren për ndërtimin e autostradës Gostivar-Bukojçan, pjesa më e vështirë e korridorit të autostradës 8 në perëndim, theksoi zëvendëskryeministri dhe ministri i transportit, Aleksandar Nikolloski, gjatë inspektimit të punimeve për ndërtimin e autostradës Gostivar-Bukojçan.

Zëvendëskryeministri Nikolloski, së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski, zevendeskryeministrin Izet Mexhiti, drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore Koce Trajanovski dhe ambasadoren e SHBA-së, Angela Ageler, sot realizuan një vizitë në aktivitetet ndërtimore për ndërtimin e autostradës Gostivar-Bukojçan.

“Besoj se kemi një ditë historike. Kjo është një fillim i autostradës nga Gostivari deri në Bukojçan dhe Kërçovë, diçka për të cilën flitet prej më shumë se 50 vitesh, një zgjidhje për pjesën më të vështirë të autostradës Shkup-Kërçovë-Strugë-Ohër, korridori 8, i njohur si Strazhë. Kështu që, për herë të parë pas 50 vitesh fillojnë punime reale për ndërtimin e kësaj autostrade, e cila do të bëjë që të udhëtohet midis kryeqytetit tonë dhe Ohrit e Strugës për një orë e njëzet minuta ose një orë e gjysmë. Kjo do të ndryshojë funksionimin e ekonomisë, por gjithashtu do të ndikojë dhe në turizëm, duke përshpejtuar rritjen ekonomike. Kjo do të sjellë një lidhje të madhe për të gjithë. Dua të falënderoj për punën e shkëlqyer të gjithë ata që janë të përfshirë në projekt, për mbështetjen që kryeministri Mickoski jep duke ndjekur projektin në mënyrë personale. Dua të njoftoj shumë lajme të mira në ditët që vijnë. Ne vendosëm të punojmë, e jo të kërkojmë justifikime dhe në ditët që vijnë do të ketë lajme të tjera të mira, ndërsa në vitet që kemi përpara do të realizohen shumë projekte të reja në fushën e autostradave, rrugëve ekspres dhe hekurudhës,” deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i transportit Aleksandar Nikolloski.