Asnjë takim a tryezë për bisedime për koalicionet e mundshme për qeverinë e re. Socialdemokratët janë në pushim, e nuk janë në disponim për të folur për mediat për koalicione e qeveri, ani pse zgjedhjet i kërkonin sa më shpejt të jetë e mundur. Për formimin e qeverisë do të flasin pas 2 gushtit, kur të kthehen nga pushimet. Integristët ndërkaq po bëhen gati për të biseduar fillimisht me partitë shqiptare, e më pas me LSDMnë ose VMRO DPMNEnë.
“Tani për tani nuk ka takime. Presim të dalin rezultatet finale edhe me vendim nga gjykata administrative. Pas kësaj do të fillojmë me takime, fillimisht me partitë shqiptare e më pas me ato maqedonase” tha Bujar Osmani zëdhënës i BDI-së. Në tryezën e pallatit të bardhë të VMRO DPMNEsë janë hapur të gjitha hartat që mund t’i çojnë opozitarët drejt pushtetit. Dafina Stojanovska nga kjo parti thotë se tani për tani nuk ka komunikime mes partive por po shqyrtohet çdo opsion për koalicion. Sekretarin gjeneral të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravarin е kontaktuam por nuk na ktheu përgjigje. Ai për Sitelin ka dhënë qëndrim personal duke thënë se është mision i pamundur që ata dhe BDI-ja të jenë në të njëjtën qeveri. Nga partia “E majta” me dy deputetë kanë deklaruar se nuk bëjnë koalicion me LSDMnë, por nuk e kanë përjashtuar DPMNEnë. PDSH-ja me një deputet ende nuk ka treguar parapëlqim përfundimtar për koalicion.