Ngrohja qendrore, qytetarët: “Koha ftohet, radiatorët të vakët”

Në një kohë kur energjia elektrike po shtrenjtohet e temperaturat janë në minus, shqetësimi për shumë qytetarë është nëse çdo vit duhet të brengosen a do të ketë ngrohje apo cilat janë alternativat për të mos ngrirë nga i ftohti. Edhe pse situata me ngrohjen qendrore për momentin është zgjidhur, qytetarët e anketuar nga mediat nuk janë të kënaqur.

“Ngrohje në shtëpi nuk kam, por kam te djali. Mirëpo ankohemi gjithë ditën, çdo ditë, çdo moment. Për momentin ka filluar të ngrohet, por nuk është ajo që duhet të jetë.”,- tha një qytetar.
“Nuk kanë mjaftueshëm, me aq sa kam dëgjuar unë.”,- theksoi një qytetar.

“Punon, por nuk është e mjaftueshme. Të themi ngrohja e “Hekuranës” punon pandërprerë 24 orë. Ndërsa kjo këtu sa të shohin pak se ka dalë dielli e ndërprenë.”,- u shpreh një qytetar.
Ka shumë prej tyre të cilët janë ç’kyçur nga ngrohja qendrore, pasi nuk kanë qenë të kënaqur nga shërbimi dhe për shkak të çmimit të lartë.

“Jemi të ç’kyçur qysh moti. E gjithë ndërtesa jemi ç’kyçur. Në atë kohë ishte shumë shtrenjtë dhe nuk ishim të kënaqur, prandaj edhe u ç’kyçëm.”,- u shpreh një qytetar.
“Na kanë vjedhur. Njerëzit morën kredi për të shlyer borxhet ndaj ngrohtores. Prandaj e gjithë ndërtesa përnjëherë jemi ç’kyçur.”,- theksoi një qytetar.

Problemet me ngrohjen qendrore nisën pas Vitit të Ri, kur shumë përdorues u përballën me radiatorë të ftohtë ose pa ngrohje fare në temperatura minus. Pasi BEG paralajmëroi se nuk ka më gaz për të prodhuar ngrohje, qeveria morri vendim për të shpallur gjendje krize në sektorin për furnizim me energji termike dhe në kompanitë BEG dhe ngrohtoren Shkup-Veri të menaxhoj SHA EMV. Menaxhimi i SHA EMV me këto dy kompani pritet të fillojë më 21 janar.