Ngritet padi penale kundër 12 policëve dhe 6 të punësuar në NP “Rrugët Shtetërore”

Departamenti i Kontrollit të Brendshëm, Hetimeve Kriminale dhe Standardeve Profesionale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka paraqitur një kallëzim penal në Prokurorinë Publike të Posaçme për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, për 18 zyrtarë (12 prej të cilëve janë policë të Njësisë Mobile për Sigurinë e Qarkullimit Rrugor, ndërsa 6 janë punonjës të pikës së pagesës Rromanovcë, pjesë e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore) për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “abuzim me pozita zyrtare dhe autorizime” sipas nenit 353 të Kodit Penal.

Pas marrjes së masave, është vërtetuar se gjashtë zyrtarë nga pika e pagesës Rromanovc, me një listë të përgatitur paraprakisht të numrave të targave të automjeteve private, u kanë mundësuar 12 policëve kalimin pa paguar 959 herë në periudhën nga 1 janari 2024 deri më 15 gusht 2024. Kështu, ata e kanë keqpërdorur pozitat e tyre si policë dhe kanë përfituar materialisht duke mos paguar biletën për kalimin në pikën e pagesës Rromanovc në autostradën Kumanovo – Miladinovc dhe anasjelltas me automjetet e tyre private.

Departamenti i Kontrollit të Brendshëm, Hetimeve Kriminale dhe Standardeve Profesionale, sipas kompetencave dhe autorizimeve të tij, do të paraqesë një propozim për fillimin e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore ndaj policëve dhe do të vendosë masa obliguese për përjashtimin e tyre nga vendi i punës deri në përfundimin e procedurës disiplinore.