Ngritet kallëzim penal ndaj 18 personave për vjedhje dhe shitje të automjeteve në vlerë prej 500 mijë euro

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka përfunduar procedurën hetimore dhe ka ngritur kallëzim kundër 18 personave fizikë dhe një personi juridik për vjedhje të veturave luksoze jashtë vendit, të cilat më pas janë shitur në vend. Sipas Prokurorisë, aktakuza është ngritur për disa vepra penale, duke përfshirë kontrabandën e zgjatur, falsifikimin e dokumenteve, falsifikimin kompjuterik, fshehjen e mallrave që i nënshtrohen kontrabandës dhe mashtrimin doganor, parandalimin e provave dhe keqpërdorimin e të dhënave personale njofton Pa Censurë.

Gjatë hetimeve, prokurori publik ka ofruar prova se janë kontrabanduar 15 vetura, me vlerë të përgjithshme mbi gjysmë milioni euro.

Në periudhën gusht 2020 deri në prill 2022, të pandehurit kanë kryer transferimin përmes linjës doganore të mallit të padeklaruar – vetura luksoze në vlerë totale në masë të madhe. Ata kanë shmangur kontrollin doganor, falsifikonin dokumente zyrtare dhe përdornin dokumente publike false si të vërteta për të regjistruar makinat dhe më pas për të mbuluar krimet i kishin fshehur automjetet dhe ia shisnin disa herë njëri-tjetrit në një kohë të shkurtër kohore. “Për fshehjen e veturave të cilat kanë qenë objekt i kontrabandës dhe mashtrimit doganor akuzohet edhe personi juridik – autosallon nga Koçani”, thonë nga Prokuroria.

Në mesin e të pandehurve janë edhe pesë zyrtarë – zyrtarë për punë administrative në MPB, të cilët gjatë gjithë asaj periudhe i kanë siguruar të tjerëve mjete për kryerjen e veprave penale, si targa regjistrimi dhe librezën e qarkullimit tl veturëss, të bëra në kundërshtim me Ligjin për automjete.

Makinat, shumica e të cilave ishin objekt i kërkimeve ndërkombëtare, janë blerë në vende të ndryshme evropiane dhe janë futur në vend me numra identifikimi të ndryshuar të shasisë dhe dokumente të falsifikuara për të fshehur origjinën e tyre. Më pas të pandehurit-zyrtarë të MPB-së i kanë bërë regjistrimin e automjeteve në bazë të dokumentacionit të rremë. Pas blerjeve dhe shitjeve të shumta reciproke, të pandehurit i kanë tjetërsuar përgjithmonë makinat, duke ua shitur ato personave fizikë dhe juridikë në vend.

Për tre nga të pandehurit, përfshirë një shtetas të Serbisë me qëndrim të përkohshëm në vend, prokurori publik kompetent ka propozuar vazhdimin e masës së paracaktuar të paraburgimit.

Për të njëjtën ngjarje penalo-juridike, ndaj të pandehurit tashmë ka një aktgjykim të formës së prerë në bazë të marrëveshjes, ndërsa për një person të përfshirë është ndërprerë procedura për shkak se nuk është në dispozicion të organeve të rendit.Pa Censurë