Ngritet aktakuzë ndaj një personi që kishte uzurpuar tokën shtetërore në Çair dhe kishte bërë parking me pagesë

Pas përfundimit të procedurës paraprake, Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka ngritur aktakuzë ndaj një personi fizik dhe një personi juridik për veprën penale të uzurpimit të pronës së paluajtshme (neni 225 i Kodit Penal).

I akuzuari, një person 47-vjeçar, pronar dhe menaxher i subjektit juridik të akuzuar, ka uzurpuar një pronë të paluajtshme në pronësi të shtetit, një tokë pas Shtëpisë së Shëndetit Shkup – Poliklinika Bit Pazar. Sipas Planit Urbanistik Detajor të Komunës së Çairit, kjo tokë ishte e destinuar për përdorim publik dhe i ishte dhënë në përdorim shtëpisë së shëndetit.

I akuzuari e shndërroi këtë pronë në një parking të improvizuar, vendosi një rampë dhe një pikë pagese në emër të subjektit juridik që ai drejtonte. Ai punësoi një person për të mbledhur tarifa prej 50 denarësh për 90 minuta përdorim, duke kufizuar dhe kontrolluar qasjen në këtë pronë.

Prokuroria Themelore Publike ka paraqitur gjithashtu një kërkesë në Gjykatën Penale Themelore të Shkupit për të vendosur masë parandaluese, që ndalon të akuzuarin të kryejë aktivitete të caktuara pune, përfshirë përdorimin e kësaj prone.