Ngritet aktakuzë ndaj një gjykatëse në RMV për shkak të falsifikimit të dokumenteve

Prokuroria Themelore Publike në Kavadar ka ngritur aktakuzë kundër një gjyqtareje nga Gjykata Themelore në Veles, dy bashkëshortëve – pronarë të një rrjeti farmacish dhe një personi juridik, të cilët akuzohen për falsifikim të dokumentit zyrtar dhe për përdorimin e dokumentit me përmbajtje të pavërtetë.

Për falsifikimin e dokumentit zyrtar si vepër penale e vazhduar, është akuzuar gjyqtarja, e cila gjatë procedurës u shkarkua nga funksioni gjyqësor. Ndërsa administratorja e rrjetit të farmacive dhe bashkëshorti i saj akuzohen për nxitje në kryerjen e veprës penale dhe për përdorimin e dokumenteve me përmbajtje të pavërtetë.

E akuzuara e parë, duke vepruar në një çështje ku paditës ishin të akuzuarit e tjerë, ka marrë një vendim me të cilin ka pranuar kërkesën paditëse dhe ka konstatuar të drejtën e pronësisë për një hapësirë afariste dhe truall nën një ndërtesë. Edhe pse vendimi nuk ishte i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm, dhe të paditurit kishin paraqitur ankesa brenda afatit, gjyqtarja, e nxitur me qëllim nga bashkëpandehurit, e ka vulosur vendimin me vulë zyrtare për formën e prerë dhe ekzekutueshmërinë, duke përfshirë me vetëdije një informacion të pavërtetë në dokumentin zyrtar.

Ky dokument zyrtar me përmbajtje të pavërtetë ajo ia ka dorëzuar drejtpërdrejt administratores së personit juridik, në vend që ta dërgonte përmes shërbimit të dorëzimit gjyqësor.

Për më tepër, si gjyqtare në një procedurë jashtëgjyqësore, e akuzuara, jashtë sistemit AKMIS për menaxhimin elektronik të lëndëve në Gjykatë, ka përpiluar një vendim me të cilin të njëjtëve aplikues u ka pranuar propozimin për masa të përkohshme për sigurimin e një pretendimi jotëhollashëm. Me këtë vendim, ajo u ka mundësuar që për pronën përkatëse të regjistrojnë një shënim në librat publikë me ndalim për tjetërsim dhe ngarkim.

Më tej, ka vendosur që masa e përkohshme të jetë menjëherë e ekzekutueshme dhe një kopje e vendimit t’i dërgohet menjëherë Agjencisë për Kadastër të Pasurive të Paluajtshme – Njësia për Kadastër të Pasurive të Paluajtshme Veles. Vendimi përmbante të dhëna të pavërteta në lidhje me pretendimin për mbajtjen e një seance, ndërsa dokumenti, në kundërshtim me rregulloren gjyqësore, ishte dorëzuar vetëm te propozuesei.

Me një vendim të veçantë, ajo e ka detyruar palën kundërshtare të kompensojë shpenzimet gjyqësore të propozueseve në shumën prej 1.124.308 denarësh, duke i dhënë sërish dokumentit karakter të formës së prerë dhe ekzekutueshmëri, edhe pse ishte në dijeni se ishin plotësuar kushtet ligjore për tërheqjen e masës së përkohshme, çka do t’i vinte shpenzimet gjyqësore në barrë të aplikuesit. Ky vendim nuk është dorëzuar te palët e tjera në proces, por vetëm te propozuesei, duke i pamundësuar kështu përdorimin e mjetit juridik – ankimin.

Për të fshehur të gjitha veprimet e kundërligjshme në çështjet përkatëse, gjyqtarja e akuzuar me vetëdije ka shkatërruar dokumentet zyrtare – kthimet e dorëzimit dhe nuk i ka bashkuar të gjitha dokumentet në dosjen e lëndës.

Pronarët e akuzuar kanë përdorur këto dokumente me përmbajtje të pavërtetë përpara Agjencisë për Kadastër të Pasurive të Paluajtshme për të bërë ndryshime në fletët poseduese në favor të personit juridik të akuzuar. Me paraqitjen e rreme të fakteve nga procedurat gjyqësore, ata i kanë shkaktuar një dëm të konsiderueshëm pasuror palës kundërshtare dhe kanë siguruar përfitime të mëdha pasurore për veten.

Shpenzimet gjyqësore për procedurën i kanë arkëtuar përmes përmbaruesit, edhe pse kanë qenë në dijeni se kërkesa për ekzekutim bazohej në një dokument me përmbajtje të pavërtetë.