“Ngrijnë” çmimet edhe një muaj

Për 90 ditë apo nga fillimi i dhjetorit deri në fund të muajit shkurt do të zgjasë në Maqedoninë e Veriut, masa e përkohshme e ngrirjes së kostos së bukës, sheqerit, miellit të tipit 400, vajit ushqimor, qumështit me përmbajtje yndyre 2.8, 3.2 dhe 3.5 për qind, mishit të freskët, prodhimeve të mishit, djathit dhe gjizës, orizit, makaronave dhe vezëve.

Në vendimin e miratuar nga qeveria në fillim të muajit dhjetor thuhet se pas situatës ekonomike, të shkaktuar nga kriza shëndetësore me pandeminë Covid-19 dhe krizës energjetike në botë, si dhe nga fuqia konsumuese e qytetarëve në vend, u pa e nevojshme të kufizohen çmimet në tregun e lirë vetëm në produktet ushqimore primare, që janë produkte dominuese për konsum. Në ndërkohë, javën e kaluar, ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi, bëri të ditur se Ministria e Ekonomisë i ka dorëzuar Qeverisë vendimin me të cilin propozohet që masa për ngrirjen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë të shtyhet deri në fund të muajit shkurt 2022.

Nga Shoqata e Konsumatorëve thonë se një masë e tillë është e nevojshme për të ruajtur standardin e qytetarëve, duke shtuar se ajo duhej të ndërmerrej shumë kohë më parë, duke marrë parasysh rritjen e çmimeve të produkteve themelore deri në 10 për qind në periudhën e kaluar. Analisti ekonomik Branimir Jovanoviq, thotë se nuk do të vijë deri tek mungesa e prodhimeve siç pretendojnë bizneset, por do të ulen fitimet e tyre. Edhe ai vlerëson se një masë e tillë jo vetëm që është e qëlluar, por bile është e vonuar.

“Kjo masë është e arsyeshme për shkak se në përgjithësi kompanitë në vend gjenden në një pozitë shumë më të mirë se qytetarët. Gjithashtu në aspektin makroekonomike, fitimet e bizneseve janë shumë më të mëdha se pagat që pranojnë qytetarët”, shton ai. Biznesi nga ana tjetër është ankuar se mund të vijë deri tek mungesa e prodhimeve në dyqane. Nga Oda bujqësore pranë Lidhjes së Odave ekonomike të Maqedonisë kanë reaguar duke thënë se një ngrirje e tillë mund të thellojë krizën në të cilën gjenden kompanitë dhe të shkaktojë probleme me qasjen e qytetarëve me artikujt themelor.

Nga Oda ekonomike e Maqedonisë Veri-perëndimore, u shprehën kundër këtij vendimit qeveritar për ngrirjen e produkteve dhe kundër shtrenjtimin të rrymës, për shkak se sipas tyre kompanitë detyrohen të rrisin kostot e produkteve nëse shtrenjtohet energjia elektrike. Andaj kanë kërkuar edhe subvencione për kompanitë për produktet e të cilave do të kenë ngrirje çmimi.

Nga ana tjetër edhe qeveritë e tjera në rajon për të mbrojtur standardin e qytetarëve kanë ndërmarrë masa të ngjashme. Autoritetet në Beograd edhe për 90 ditë të tjera, apo deri në fund të muajit prill kanë ngrirë çmimet e produkteve bazë të ushqimit. Apo pas ngrirjes së mëparshme prej dy muaj që skadonte në fund të janarit, çmimet janë ngrirë edhe për tre muaj të tjera.

Nga ana tjetër, në Serbi më 3 prill do të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Në Serbi është vazhduar masa e mëparshme e ngrirjes së çmimeve të sheqerit, miellit, vajit, mishit dhe qumështit. Në Hungari që në pranverë e presin zgjedhje parlamentare, që mund të rrezikojnë pushtetin e qeverisë aktuale, kryeministri Viktor Orban paralajmëroi se nga një shkurti ngrihen çmimet e sheqerit, miellit, vajit, mishit dhe qumështit për tre muajt e ardhshëm.

Qeveria në Budapest në nëntor të vitit të kaluar ngriu çmimet e karburanteve për tre muaj, ndërsa me të njëjtën masë vendosi të zbusë edhe rritjen e çmimeve të energjisë elektrike për bizneset e vogla. Në vitin e kaluar në Hungari për tre muaj u ngrinë edhe çmimet e karburanteve të naftës me çka sipas analizave kompania MOL ka humbur afër 180 milion euro. Në Kroaci nuk ka pasur ngrirje të çmimeve të ushqimeve, por qeveria në muajt nëntor dhe dhjetor përkohësisht ngriu edhe çmimet e karburanteve të naftës. Spekulohet se nga një prilli do të ulet për pesë për qind, TVSH-ja për rrymën dhe gazin, ndërsa pritet edhe një sërë masash për zbutjen e efekteve të rritjes së çmimeve të energjenseve.