Ngjela: U shfuqizua gjendja e luftës, ja pse Serbia sot njohu Kosovën e pavarur


Avokati shqiptar Spartak Ngjela, ka thënë se marrëveshja e nënshkruar sot në Uashington me Serbinë, është njohje e Kosovës si shtet i pavarur nga ajo.

Ai ka thënë se marrëveshja e sotme shfuqizon gjendjen e luftës dhe se ky është thelbi i saj, përcjell Bota sot.

Sipas tij, i gjithë ky proces juridik, si marrëveshje ekonomike, është marrëveshje bilaterale për njohje reciproke.

Reagimi i Ngjelës në Facebook:

Marrëveshja e Uashingtonit, ipso jure, është njohja e Kosovës si shtet i pavarur nga Serbia

Kjo marrëveshje është një hap përpara drejt prestigjit ndërkombëtar të Kosovës dhe të të gjithë botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Ndonëse vetëm një marrëveshje ekonomike, në thelb, kjo është fillimi racional i njohjes reciproke mes dy vendeve të pavarura. Pse? Sepse, fakti që kemi një marrëveshje midis dy shteteve, siç e theksuam, Serbia, ipso jure, ka njohur Kosovën. Pse? Sepse, po të vijonte Kosova të konsiderohej si provincë në strukturën juridike të shtetit të Serbisë, pse duhej firmosur marrëveshja nga presidenti i Serbisë me një kryeministër fiktiv të provincës së vet?

Edhe më tej: Fakti që kjo është një marrëveshje bilaterale e firmosur në prezencë të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kuptohet se, prezenca juridikisht, me firmë, e superfuqisë, garanton ndërkombëtarisht pavarësinë e të dy shteteve, deri tani në gjendje lufte.

Marrëveshja e sotme, shfuqizon gjendjen e luftës: ky është thelbi i saj. Prandaj: I gjithë ky proces juridik, si marrëveshje ekonomike, në thelbin e vet, është marrëveshje bilaterale për njohje reciproke.

Marrëveshja u nënshkrua në prani të presidentit amerikan Donald Trump.