Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmë gjithë vendin. Një aksident i rëndë në trafik që ndodhi në rrugën Ferizaj – Shtime, saktësisht në vendin e quajtur Porodime, u mori jetën katër të rinjve Arlind Isufaj, 21-vjeçar, Mergim Behluli, 23-vjeçar dhe Armend Muhadini, 39-vjeçar dhe Arsim Isuf, ndërsa mbetën të lënduar rëndë një çift burrë e grua.
Tri nga viktimat nuk arritën që të përballojnë plagët e marra dhe si pasojë kanë humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa tre personat tjerë u dërguan me urgjencë në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj. Atje ndërroi jetë edhe viktima e katërt, kurse çifti që mbijetuan u transferuan në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.
Deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur kur vetura BMW me të cilën po udhëtonin katër viktimat, për arsye të panjohura ka humbur kontrollin mbi timon dhe ka goditur dy veturat të cilat ishin në përballëkalim.
Sipas një qytetare e cila ka publikuar informacione në Facebook, viktimat Arlind e Arsim Isufaj kanë lidhje gjaku. Në njoftim thuhet se viktimat janë axhë e nip.
“Fshati mollopolc u trondit prap me tragjedin e radhes si pasoj e aksidentit humben jeten dy kojshi në mosh të re, qofsh prej banorve të Xhenetit arlind bashk me agjen tan Arsimin. Zoti ju past marr nën mëshirën e vet ngushllime familjes Isufaj zoti u dhasht sabrin e gajretin“.
Po ashtu një nga katër viktimat e aksidentit tragjik, është punonjës i Komunës së Ferizajt, gjegjësisht Drejtorisë së Bujqësisë. Kështu ka bërë të ditur kryetari i Ferizajt, Agim Aliu përmes një telegrami ngushëllimi.