Nga viti i ardhshëm nxënësit e klasës së I dhe të IV me koncept të ri arsimor

Fëmijët të cilët në vitin e ri shkollor 2021-2022 do të jenë nxënës të klasës së parë dhe të katërt do të jenë të parët që do ta startojnë Konceptin e ri për Arsimin fillor.
Nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit zbulojnë disa nga risitë të cilat do të kenë përballë nxënësit dhe mësuesit. Sipas byrosë, vend të rëndësishëm zë integrimi i të gjitha lëndëve mësimore si dhe furnizimi i shkollave me mjete didaktike.

Mësimdhënësit do të duhet të kenë një mënyrë pune që do të integrojnë të gjitha lëndët mësimore në kuadër të një dite punë, veçanërisht te nxënësit. Mundohemi aq sa është e mundur, ti krijojmë të gjitha kushtet edhe të gjitha mundësitë për mësimdhënësit që të realizojnë mësim aktiv dhe gjithashtu një qasje interaktive në punën e tyre duke ju krijuar materiale punuese, materiale didaktike, duke ju krijuar doracak për mësimdhënës – tha Ajshe Ajrullai, Byroja për Zhvillimin e Arsimit.

Nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit thonë se koncepti i ri i arsimit fillor do të nis me kuadër të trajnuar paraprakisht. Fillimisht, mësuesit e klasës së parë dhe të katërt do të trajnohen gjatë muajit prill për të vazhduar më pas edhe në muajin qershor.

Më vonë gjatë muajit qershor të realizohen trajnime që kanë të bëjnë kryesisht me implementimin e programeve mësimore dhe gjithsesi me përdorimin e metodave të reja të punës e metoda që parashikojnë një pozitë të nxënësit në qendër të vëmendjes në shkollë dhe gjithsesi përdorimin e metodave aktive të punës e që do të mundësoj që nxënësit tonë të bëhen konkurrent me nxënësit e shteteve të tjera në kuptim të pjesëmarrjes në testime të ndryshme ndërkombëtare -u shpreh Ajshe Ajrullai, Byroja për Zhvillimin e Arsimit.

Gjithashtu, nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit njoftuan se nxënësit nga klasa e parë e deri në atë të tretë do të kenë libra të zakonshëm siç është edhe tani. Mirëpo, sipas Ajrullait nuk përjashtohet mundësia të krijohen materiale didaktike në formë elektronike.