Nga Vetëvendosja tregojnë nëse do ta përkrahin Ramush Haradinajn për president

Lëvizja Vetëvendosje s’do të përkrahë asnjë kandidatë për President të vendit, pa zgjedhje të jashtëzakonshme. Albulena Haxhiu anëtare e kryesisë së Vetëvendosjes thotë se ky Kuvend nuk mund ta zgjedh Presidentin e ri.
Ajo thotë se Qeveria e re dhe Presidenti duhet të votohen nga një legjislaturë e re.
“S’kemi emër për President për faktin se ky Kuvend nuk mund ta zgjedhë një president të ri. Ç’farë do tendencë për të zgjedhur Presidentin tani, është tendencë për t’ia zgjatur jetën qeverisë aktuale. Ne kërkojmë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe Kuvendi i ardhshëm ta zgjedh edhe Qeverinë edhe Presidentin e ardhshëm, ka thënë Haxhiu.

Ajo propozimin e Ramush Haradinaj i cili ka shpallur kandidaturën për president, që PDK-ja ose VV-ja ta përkrahin dhe AAK-ja t’ua kthente votën nëse atyre u duhej për kryeministër apo Kryetar Kuvendi e ka quajtur skandaloze dhe me qasje tuxhari.
“Në një vend normal një deklaratë e tillë nga një pretendent për president do të ishte skandaloze. Merreni me mend po kërkon vota “veresi”. Kjo është qasje tuxhari. z.Haradinaj nuk e meriton të jetë President, jo vetëm që i takon AAK-së, por ai ka qenë kryeministër dhe e kemi parë punën e tij. Vetëvendosje nuk e mbështet”, është shprehur ish- ministrja në Qeverinë Kurti.

Sipas saj, Vetëvendosje është që të gjendet një kandidatë për president që është jashtë politike, një figurë që ka integritet.
Haxhiu ka thënë se deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, nuk duhet ta befasojë askënd, pasi ai është i njëjti si në kohën kur ka qenë ministër i Milloshevqit.
Vuçiq ditë më parë ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet të ulën dhe të bisedojnë, ose mund të ketë një konflikt të ri.

Por, Haxhiun më shumë se deklarata e Vuçiqit, problem e sheh delegacionin e Kosovës në negociata, që sipas saj, ka tentuar që të pastrojë figurën e Vuçiqit. Faj për këtë ajo i vë edhe kryeministri të Shqipërisë, Edi Rama.
“Delegacioni i Kosovës në negociata më Serbinë në vazhdimësi ka tentuar t;ia pastrojnë figurën Vuçiqit dhe këtu përgjegjësi ka edhe Qeveria e Shqipërisë, e sidomos kryeministri Rama. Një deklaratë prej Vuçiqit s’na befason, por problem është qasja që zgjedh Qeveria e Kosovës. Dialogu duhet të ndërpritet, ai nuk mund të udhëhiqet nga një Qeveri që s’ka legjitimitet. Për dialogun të ketë koncensues dhe nuk ka, madje as brenda subjekteve politike që janë në koalicion”, ka thënë ajo për EO.

Haxhiu e cila në kohën sa ishte ministre e Drejtësisë, kishte filluar procesin e Vettingut, proces ky i cili po vazhdon me ministrin e ri, Selim Selimi, por me disa ndryshime, thotë se nuk pret nga një Qeveri me plotë skandale që ta qojë këtë proces përpara.