Nga sot rriten çmimet e bukës, qumështit dhe miellit-masat për ngrirjen e çmimeve përfunduan

Nga sot nuk do të vlejë masa e Qeverisë për çmimet e ngrira të disa produkteve ushqimore dhe pijeve joalkoolike. Vendimi i Qeverisë ishte i vlefshëm deri më 29 shkurt dhe garantonte çmime për orizin, miellin, bukën dhe produktet e tjera të bukës, biskotat, makaronat, mishin dhe produktet e mishit, qumështin, vezët, djathin,dhe produktet e tjera të qumështit.

Institucionet paralajmëruan forcimin e kontrolleve për të ndërhyrë në rast të rritjes drastike të çmimit të produkteve, duke qenë se ligji për praktikat e padrejta tregtare, i cili pritet të amortizojë situatën, ende nuk është votuar në Kuvend.

Ligji për praktikat e padrejta tregtare është në procedurë parlamentare. Pas miratimit të ligjit, tregtarët kanë një afat prej 6 muajsh për të lidhur kontrata të reja me prodhuesit dhe shpërndarësit, në mënyrë që vetëm nga shtatori të ndihet një ulje e çmimeve prej 20 deri në 30 për qind.

Zëvendëskryeministri për Çështjet Ekonomike Fatmir Bitiqi tha se çdo sjellje joetike e çdo tregtari do të dënohet. Ai kërkoi reagimin e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe Organizatës për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe ritheksoi se më së shumti zgjidhja e duhur është miratimi i Ligjit për praktikat e padrejta tregtare.