Qeveria e Kosovës ka lehtësuar sot masat antiCOVID, ku tashmë do të lejohet mbajtja e dasmave, fejesave, ahengjeve familjare e mbrëmjeve të maturës deri në orën 01:00, ku organizimi i tyre duhet të bëhet vetëm me kushtin që të shfrytëzohet vetëm 50 përqind e kapacitetit, e jo me më shumë se 300 persona.
Me lehtësimin e masave do të lejohet edhe veprimtaria e klubeve të natës, të cilave u lejohet muzika deri në orën 01:00. Ndërsa, shërbimeve të gastronomisë do t’u lejohet puna deri në orën 23 në ditët e punës, përveç të premtes e së shtunës kur puna iu lejohet deri në orën 00:00.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u shpreh se lehtësimi i masave vije pas uljes së rasteve pozitive dhe rekomandimit të IKSHPK-së.
“Nga të dhënat e fundit në raportet që vijnë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike gjendja epidemiologjike me COVID-19 në Republikën e Kosovës paraqitet e qëndrueshme. Në vazhdimin e uljes së numrit të rasteve pozitive dhe referuar rekomandimeve të IKSHPK propozojmë lehtësimin gradual të masave që mundësojnë një aktivitet të shtuar ekonomik, por njëkohësisht që synojnë kontrollimin e përhapjes së infeksionit.
Lehtësimi i masave është bërë duke u kushtuar rëndësi parandalimit të përhapjes së infeksionit me COVID-19 dhe lehtësimin e funksionimit të disa aktiviteteve ekonomike, por duke pasur parasysh dhe prioritet ruajtjen e jetës dhe shëndetit publik”, tha Vitia.
Vitia deklaroi se masat e përcaktuara dhe afatet kohore shërbejnë që situata epidemiologjike të mbahet nënkontroll.