Nga shtatori nxënësit në shkollë me maska, ora 20 minuta

Nxënësit do të kthehen në shkollë. Me maska dhe duke dezinfektuar duart shpesh, për 20 minuta nxënësit do të mbajnë orën mësimore. Nëse klasa ka numër të madh të nxënësve, do të ndahen në dy grupe dhe mësimin do t’ua mbajë e njëjta mësuese.

Ky është njëri nga mënyrat se si do të zhvillohet viti shkollor nga shtatori në Maqedoninë e Veriut, tregoi zëvendësministrja e Arsimit dhe Shkencës, Elizabeta Naumovska.

“Ne propozojmë prani fizike me numër të ulët të nxënësve në klasë. Grupe më të vogla, me protokoll të mjaftueshëm për distancë fizike, mbajtje e maskës, dezinfektim në të gjitha format që të mbrohen edhe arsimtarët edhe nxënësit. Nëse në arsmin fillor ora mësimore ka zgjatur 40 minuta, tash ajo do të jetë 20 minuta. Arsimtari do të ndajë klasën në dy grupe me nga 15 nxënës”, tha Elizabeta Naumovska, zëvendësministre e Arsimit.

Nëse në klasë ka nxënës që kanë sëmundje kronike, të njëjtit do të realizojnë mësim online. Shqyrtohet mundësia se si do të realizohet kjo.

“Ndoshta do të ketë përjashtime dhe mësim online për nxënësit që janë me sëmundje kronike dhe me sëmundje të rralla. Ka mundësi se si ata të kyçen në mësim. Ka disa variante. Njëra është mësimdhënësi në klasë të kyçet me mikrofon dhe derisa e mban mësimin me nxënësit e tjerë, njëkohësisht nxënësit të jenë të kyçur online”, theksoi Elizabeta Naumovska, zëvendësministre e Arsimit.

Modeli tjetër është i kombinuar. Kjo mundëson që në rast se shkollat nuk kanë hapësirë të mjaftueshme që ta ndajnë klasën në dy grupe, atëherë mësimi do të jetë i kombinuar.

“Një javë ose dy në shtëpi një grup i pareleles, derisa të tjerët marrin detyra shtesë që duhet t’i realizojnë atë javë. Do të thotë më shumë detyra që duhet t’i realizojnë nga shtëpia, që nga java e ardhshme grupi i tjetër të qëndrojnë në shtëpi, e këta të jenë me prani fizike”, u shpreh Elizabeta Naumovska, zëvendësministre e Arsimit.

Modelet nuk vlejnë për tërë shtetin njëjtë, por do të definohen sipas komunave dhe sipas shkallës së infektimit nga Covid-19. Kjo nënkupton se në rast se një komunë ka numër të ulët të rasteve me Kovid-19 dhe shkolla me numër të paktë të nxënësve, atëherë mësimi realizohet nëpër shkolla.

“Nëse keqësohet situata në nivel të ndonjë komune apo rajon, të mund meniher të kalohet në mësim nëprëmjet kompjuterit”, deklaroi zëvendësministrja e Arsimit Elizabeta Naumovska.

Protokolle po përpilohen edhe për nxënësit e shkollave të mesme, për udhëtimin nga njëri qytet në tjetrin dhe për banimin në internat. Por të gjitha detajet do të vendosen në mbledhjen që përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës do ta kenë me anëtarët e Komisionit për sëmundje ngjitëse ditën e premte. Të gjitha vendimet do të sillen para 15 gushtit, para se mësimdhënësit të kthehen nga pushimi vjetor. Mes arsimtarësh përflitet se opsion është edhe që cikli i ulët të shkojë në shkollë, kurse ai i larti të vijojë me mësimin online. Por këto Naumovska i cilësoi si spekulime.