Nga prot*estues i bur*gosur nga Serbia, lider i opozitës së gazit lotsjellës e deri tek fitorja ‘plebishitare’ – ky është profili i Albin Kurtit

Albin Kurti është zgjedhur kryeministër i Kosovës duke u rikthyer në Kryeministri pas gati 1 viti nga dita kur u shkarkua. Me 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës votoi për zgjedhjen e Kurtit në krye të ekzekutivit.
Për Kurtin, kjo është hera e dytë që arrin të bëhet kryeministër i Kosovës. Ai ishte zgjedhur kryeministër edhe më 3 shkurt të vitit 2020, por që nuk kishte arritur ta çonte në fund mandatin e tij katër vjeçar.

Në atë kohë, LVV kishte formuar Qeverinë e Kosovës në një koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por koalicioni mes VV-së dhe LDK-së nuk zgjati shumë.
LDK e cila në atë kohë bashkëqeveriste me LVV-në, nisi një mocion për rrëzimin e Qeverisë Kurti, mocion ky që u mbështet edhe nga partitë tjera opozitare, kësisoj, Qeveria Kurti u rrëzua me 25 mars.
Për rrëzimin e Qeverisë Kurti kishin votuar 82 deputetë nga 117 sa ishin në prezent në sallë, ndërsa kundër votuan 36 deputetë dhe një prej tyre abstenoi.

Ndryshe, votimit të Qeverisë Kurti 2 i ka paraprirë seanca konstitutive e legjislaturës së tetë e Kuvendit të Kosovës. Ku sot u bë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, në atë pozitë erdhi Glauk Konjufca. Po ashtu, sot u emëruan edhe nënkryetarët e Kuvendit.
Në legjislaturën e tetë, LVV do të ketë 58 ulëse.
Më poshtë gjeni profilin e kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti, të publikuar në ueb faqen e lëvizjes Vetëvendosje (pa ndërhyrje):

Albin Kurti është i lindur më 24 mars 1975 në Prishtinë. Albin iu bashkua Kryesisë së Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës në gusht 1997, i cili organizoi protesta paqësore, jo të dhunshme për lirimin e ndërtesave dhe ambienteve të universitetit, të cilat u pushtuan nga autoritetet e regjimit serb.
Kur filloi lufta në Kosovë, në gusht 1998, Kurti filloi të punojë si Sekretar i Zyrës së Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Demaçi. Kur filluan bombardimet e NATO-s në Serbi dhe Kosovë në mars të vitit 1999, Kurti qëndroi në Prishtinë, dhe, u arrestua nga policia serbe më 27 prill 1999. Kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova më 10 qershor, Kurti dhe mbi dy mijë shqiptarë të tjerë u transferuan në burgjet serbe.

Për shkak të presionit ndërkombëtar, Kurti u lirua më 7 dhjetor 2001. Më 23 prill 2003, Albin Kurti diplomoi në Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës, drejtimi i Telekomunikacionit me Kompjuterikë.
Në qershor 2005, Albin Kurti me aktivistë të tjerë politik e bashkë-themeluan një iniciativë qytetare të quajtur Lëvizja VETËVENDOSJE!. Ai ishte Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! deri në mars të vitit 2015.

Ai garoi përsëri në zgjedhjet e brendshme për Kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në janar të vitit 2018 dhe fitoi. Albin Kurti ka qenë deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Republikës së Kosovës për tre mandate me radhë. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Albin Kurti ishte kandidati që fitoi numrin më të madh të votave në vend.
Albin Kurti ka botuar me qindra artikuj, dhe është ftuar të prezantojë në universitete të ndryshme të njohura brenda dhe jashtë vendit.

Ai gjithashtu ka shërbyer si Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Republikës së Kosovës në vitet 2011-2014. Ai flet rrjedhshëm gjuhën shqipe, angleze dhe serbo-kroate.
Albini është i martuar dhe ka një fëmijë.