NGA POLICË QË NUK MBROJNË VIKTIMAT GRA TE PRESIDENTI QË FALË VRASËSIN E VAJZËS SË RE


Përveç një deklarate skandaloze që sot bëri nënkoloneli i Policisë, Ahmet Hasi, lidhur me vrasjen e dyfishtë të gruas dhe vajzës nga Pjetër Nrecaj në Gjakovë, i cili për të arsyetuar nelizhencën e tyre tha se se viktima nuk kërkoi mbrojtje kur e lajmëroi kërcënimin, në Kosovë edhe janë falur vrasës të femrave.

Presidenti Hashim Thaçi, gjatë këtij viti ka falur të dënuarin për vrasje të një vajze 16 vjeçare, shkruan Insajderi.

I pari i shtetit, i ka falur tre vjet burg Hasan Rraci, i cili përveç për vrasjen e vajzës u dënua edhe për vrasjen e kushëririt të tyre.

45-vjeçari nga Klina, Hasan Rraci, është dhëndri i presidentit Thaçi, bashkëshorti i vajzës së tij të axhës, Halime Rracit.

Ajo është motra e truprojës së Thacit, Hisni Thacit, i dënuar për krime të luftës në rastin Drenica.

Rraci për vrasjen e vajzës së tij ishte dënuar me 2 vite burg, me arsyetimin e gjykatës se e kishte vrarë vajzën nën afekt mendor.

Arsye për vrasjen e të bijës ishte dyshimi i tij se ajo kishte lidhje dashurie me kushëririn e largët të tij Mensur Rracin.

Ai nuk e kishte vuajtur gjithë dënimin e shqiptuar nga Gjykata duke kaluar vetëm gjashtë muaj në burg.

Ditën që del nga burgu, me 16 shtator 2009, ai kishte vrarë dhe kushëririn e tij në mes të qytetit të Klinës, derisa viktima ishte duke tentuar të ikte. Rrethanat e rastit tregonin se i dyshuari kishte vrarë me qëllim kushëririn për motive të hakmarrjes.

Tre doktorë, ekspertë në lëmin e shëndetësisë mendore, kishin raportuar në gjykatë se i dyshuari ka reagime të shpejta impulsive dhe se ai manifestonte vetëkontroll të dobët.

Rasti ishte gjykuar në Gjykatën e Qarkut në Pejë dhe kishte përfunduar me shpalljen e Hasan Racit fajtor për vrasjen e Mensur Racit, duke e dënuar atë me 19 vite burg për vrasje si dhe1 vit për armëmbajtje pa leje, dhe i është shqiptuar një dënim unik prej 19 vite e 6 muaj.

Këtë vit Presidenti duke shfrytëzuar të drejtën që i jep Kushtetutës, faljen e të dënuarve në raste të veçanta, vendosi ta falë dhëndrin e tij.

Katër nga shtatë të burgosurit për të cilët presidenti Hashim Thaçi nxori dekretin për falje, vuanin burgun për vrasje apo vrasje në tentativë.

Të amnistuar kanë mbetur edhe burra të tjerë që vranë gratë tyre, shkruan Insajderi.

I tillë është rasti i Diana Kastratit, e vrarë para shtatë vjetëve para shtëpisë së saj në Prishtinë.

I dyshuari për vrasjen e saj, ish-bashkëshorti Adnan Jashari nuk u kap kurrë nga autoritetet kosovare. Ai u arratisë në Spanjë ku u arrestua në vitin 2011 nga autoritetet atje por ky shtet nuk e ekstradoi asnjëherë në Kosovë.

Rasti tjetër është ai Antigona Morinës. Ajo ka vdekur 6 vite më parë për shkak të hemorragjisë së vazhdueshme, tri ditë pas martesës.

Atëkohë bashkëshorti i saj, Hilmi Zena, përpos që nuk i kishte ofruar ndihmë mjekësore, ka përkeqësuar gjendjen e saj duke vazhduar marrëdhëniet seksuale me të.

Zena ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Rahovec, ndërsa ankesa që ishte bërë nga Prokuroria pas atij vendimi ishte zhdukur nga zyrtarët e gjykatës.

Gjashtë vite pas rastit janë organizuar edhe protesta nga rrjeti i Grave të Kosovës duke kërkuar nga drejtësia kosovare llogaridhënie dhe seriozitet në trajtimin e këtij rasti./ Insajderi.com