Nga pengmarrja e djalit të gazetarit tek grabitjet e bujshme, kush është Titi, shqiptari që terrorizoi Greqinë

Mediat greke kanë publikuar fotografitë dhe historinë e një shqiptari, i cili rezulton kreu i një bande që kryente grabitje në zonën e Athinës.

Kreu i bandës kriminale e cila u godit në zonën e Atikas gjatë fundjavës, është Astrit Hasani, i njohur ndryshe si Titi, i cili nga policia greke është etiketuar si kriminel i rrezikshëm, pasi vepronte nëpërmjet dhunës.

37-vjeçari u vu në pranga, i dyshuar për një sërë vjedhjesh, ndërkohë që bashkëpunëtori i tij, një tjetër shqiptar i moshës 28-vjeçare, nipi i tij, arriti që të largohej.

Titi rezulton të ketë eksperiencë si punonjës i sigurisë, ku për vite me radhë ka punuar si roje, çka ka bërë që të jetë i përgatitur fizikisht.

Në verën e vitit 2019, ai u arratis për në Shqipëri nga zona e Metagogoni, duke mundur që ti shpëtojë një operacioni të policisë.

Siç raportojnë mediat helene, Titi gjatë kësaj kohe u burgos në Tiranë i kapur me armë, teksa familjarët e tij, fliten si të përfshirë në aktivitetin kriminal në Greqi.

Pjesëtarët e grupit të Titit, mes tyre nipi i tij 28 vjeç, në maj të vitit 2019, në zonën e Zografiou, rrëmbyen djalin 17 vjeç të një gazetari të njohur.

Ata e morën peng adoleshentin dhe me çelësat e tij arritën që të hyjnë në shtëpi dhe të vidhnin, ndërsa të riun e mbajtën të mbyllur në bagazhin e një makine.

Grupi në fjalë kishte kryer vjedhje të përsëritura në zonën e konviktit të vjetër të studentëve në Politeknik, ku në disa raste kishin grabitur zyrat e profesorëve.

Astit Hasani, u lokalizua të premten e lënë pas në drejtimin e një makine të vjedhur pranë Politeknikut, ku pas një ndjekje intensive u bë rrethimi dhe arrestimi i tij.