Qeveria njofton se, me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme për shkak të paralajmërimeve për një valë të nxehtë në vend dhe ka miratuar rekomandimet përkatëse.
Nga Instituti i Shëndetit Publik dhe alarmi meteorologjik i Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike janë marrë informacionet se më 11.06.2024 (e martë) dhe 12.06.2024 (e mërkurë), territori i qyteteve Gjevgjeli, Bogdanci, Vallandovë dhe Dojran do të përfshihet nga temperatura të larta nga faza portokalli.
Qeveria ka miratuar rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë për zvogëlimin e rreziqeve nga temperaturat e larta, në përputhje me Planin e Veprimit të Ministrisë për parandalimin e pasojave të valëve të nxehta në shëndetin e popullsisë për territorin e qyteteve Gjevgjeli, Bogdanci, Vallandovë dhe Dojran, për datat 11.06.2024 (e martë) dhe 12.06.2024 (e mërkurë), sipas të cilave është parashikuar:
1. Lirimi nga detyrat e punës për grupet më të cenueshme të popullsisë, përkatësisht gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç;
2. Në institucionet e kujdesit për fëmijët (kopshtet) të mos praktikohen aktivitete fizike dhe të mos nxirren fëmijët jashtë në periudhën nga ora 11:00 deri në 17:00;
3. Njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Punë Sociale në rajonet e prekura nga vala e nxehtësisë të ofrojnë ndihmë për personat e vetmuar, të moshuar, të dobët dhe të pastrehë;
4. Duke pasur parasysh faktin se disa procese prodhuese dhe teknologjike të rrezikshme mund të paraqesin një rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve të ekspozuar, kujtohen punëdhënësit për detyrimin e tyre për të respektuar rregulloret ligjore në këtë fushë.
Gjatë kësaj periudhe, më 11.06.2024 (e martë) dhe 12.06.2024 (e mërkurë) është parashikuar që edhe rajoni i Shkupit dhe Vardarit të përfshihet nga temperatura të larta, por nga faza e verdhë (alarm – gatishmëri). Në këto rajone do të vlejnë rekomandimet e përgjithshme që do të shpallë Ministria e Shëndetësisë, thonë nga Qeveria.