Nga nesër, ministri Osmani për vizitë dy ditore në Sofje, takime me Borisov dhe Zaharieva

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani më 9 tetor 2020 do të qëndrojë në vizitë pune në Republikën e Bullgarisë dhe do të realizojë takim me Kryeministrin e Republikës së Bullgarisë Bojko Borisov dhe Zëvendës Kryeministren e Republikës së Bullgarisë për Reformë në Drejtësi dhe Ministren e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva.

Kjo është vizita e parë bilaterale e Ministrit Osmani dhe është në frymën e miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve, si dhe intensifikimit të dialogut politik. Në takim do të shqyrtohen mundësitë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e infrastrukturës, shëndetësisë, mbrojtjes, turizmit, arsimit, kulturës, si dhe të gjitha fushave tjera në të cilat arrihet një bashkëpunim i suksesshëm në përputhje me përpjekjet për zbatimin e Marrëveshjes së miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit.

Ministri Osmani me Kryeministrin Borisov dhe me Ministren e Punëve të Jashtme Zaharieva do të shkëmbejnë mendime mbi progresin e rajonit në procesin e integrimit evropian, si dhe aktivitetet e ardhshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përparimin e procesit të reformave dhe mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare, si dhe fillimin zyrtar të negociatave të anëtarësimit me BE-në deri në fund të vitit, gjatë Presidencës Gjermane me Këshillin e Bashkimit Evropian.

Si bashkëkryesues të Procesit të Berlinit, Ministri Osmani me homologen e tij, Ministren Zaharieva, do të shqyrtojnë angazhimet aktuale dhe të ardhshme në pritje të takimeve dhe të Samitit të Procesit të Berlinit që do të mbahet më 10 nëntor në Sofje.
Temë e bisedimeve do të jenë edhe situatat aktuale në rajon, bashkëpunimi rajonal dhe tema të tjera të rëndësishme ndërkombëtare.