Kompania me kosto të ulët holandezo-franceze „Transavia“ do të nisë fluturimet midis Amsterdamit dhe Shkupit nga muaji mars. Biletat janë vënë në shitje që nga sot, njoftoi kompania ajrore.
Që nga shtatori i vitit 2008, kur ndaloi fluturimet MAT, kjo do të jetë hera e parë që aeroporti „Schiphol“ dhe kryeqyteti i Maqedonisë do të lidhen me një linjë të rregullt ajrore.
Kompania është filial i grupit „Air France – KLM“. Fluturimi i parë është planifikuar për më 2 mars 2025 dhe do të realizohet dy herë në javë.
Kjo linjë do të jetë konkurrente e „Wizz Air“, i cili e lidh Maqedoninë dhe Holandën përmes Eindhovenit, një qytet 125 kilometra larg Amsterdamit. Aktualisht, „Wizz Air“ operon katër fluturime në javë drejt Eindhovenit.
„Transavia“ nuk është e panjohur për transportin ajror maqedonas. Me këtë kompani janë organizuar fluturime charter për turistët holandezë drejt Ohrit që në vitet 1970.