Nga mesnata çmime të reja të derivateve të naftës

Benzinat dhe dizeli nga sonte në mesnatë lirohen për gjysmë denari, ndërsa çmimi i vajit ekstra të lehtë për amvisëri nuk ndryshon, vendosi sot Komisioni Rregullator për Energjetikë.

Çmimi i ri i benzinës motorike EUROSUPER BS – 95 do të jetë 71 denarë për litër, ndërsa 73,5 denarë i EUROSUPER BS – 98, ndërsa një litër dizel EURODIZEL BS (D-E V) do të shitet me çmim prej 62 denarë. Zvogëlohet edhe çmimi i mazutit M-1 NS për 0,195 denarë për një kilogram dhe do të jetë 36,681 denarë.
Çmimi i vajit ekstra të lehtë 1 (EL-1) nuk ndryshon, gjegjësisht ngelet 62 denarë për një litër.

Zvogëlimi i çmimeve me pakicë të derivateve të naftës mesatarisht është për 0,54 për qind në krahasim me Vendimin e KRRE-së të 9 gushtit të këtij viti.

Nga KRRE theksojnë se në periudhën e kaluar shtatëditore çmimet referuese në tregun botëror, mesatarisht shënojnë ulje: benzina për 2,104 për qind, nafta 1,735 për qind, vaji ekstra i lehtë 1,873 për qind dhe te mazuti ka ulje për 1,975 për qind. Në të njëjtën periudhë kursi i denarit në raport me dollarin është më i lartë për 1,086 për qind.