Nga e papunë, drejt e në vijën e parë të frontit në Infektivë si vullnetare

Kur në muajin mars u raportuan rastet e para me koronavirus e që shkakton sëmundjen e Covid-19 në Klinikën Infektive u paraqitën vullnetarë për ta ndihmuar stafin mjekësor.
Aty filluan punën dhjetë mjekë, gjashtë infermierë dhe një psikolog.
Njëra nga to është 25 vjeçarja Nita Ymeraga mjeke e përgjithshme. Doktoresha Nita ka qenë e papunë kur ka vendosur të jap kontributin e saj si mjeke në Klinikën Infektive.
Që nga fillimi i muajit prill kur edhe ka nisur punën, ajo vetëm dy herë, edhe atë nga distanca i ka parë prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes.

Doktoresha Nita ka ndarë përvojën e saj si mjeke vullnetare me gazetën Objektiv. Ajo thotë se sfidat në klinikën infektive nuk janë të pakta.
“Kur punon në vijën e parë të frontit pra direkt me pacientët me sëmundjen e Covid-19 rre*ziku për t’u infektuar është shumë i madh. Andaj unë kam vendosur në një mënyrë të vetë-izolohem pas punës që kryej. Dhe zgjidhja e vetme ka qenë të mos kem kontakt as me familjarë. Më mungojnë shumë por kjo mendoj se ka qenë zgjidhja më e mirë për të gjithë”, tha ajo.

Doktoresha Nita bën edhe krahasimin mes kohës kur ajo ka filluar punën dhe ditëve të fundit në Klinikën Infektive. Thotë se dallimi është i madh, pasi që tash Klinika është e stërmbushur me pacientë.
“Nëse krahasohet puna në muajin prill dhe tash, gjendja në Klinikë aktualisht është shumë më e rëndë. Sidomos dita e hënë, është shumë e vështirë për mua, pasi ne si vullnetarë jemi të liruar për vikend, dhe gjatë kësaj kohe aty hospitalizohen pacientë të rinj.
Të hënën Nita dhe vullnetarët tjerë duhet të marrin informata për të gjithë pacientët që hospitalizohen gjatë fundjavës, në mënyrë që të dinë çfarë terapie duhet t’u japin. “Dhe gjithçka nis nga fillimi, për të vazhduar më pas gjithë javën me punë”, tha ajo.

Ndonëse të gjithë mjekët vullnetarë vazhdimisht kryejnë vizita me pacientë doktoresha Nita thotë se infektologët brenda Klinikës Infektive vazhdimisht i kanë mbrojtur vullnetarët duke i kursyer nga kontaktet me të infektuar, me aq mundësi sa kanë pasur.
“Kur kam filluar punën, kemi mbledhur të dhëna të pacientëve dhe jemi marrë kryesisht me studim, por më pas, me shtimin e numrit të pacientëve u rrit nevoja për ndihmë. Andaj të gjithë u angazhuam në punë me pacientët e infektuar”, tha doktoresha Nita.
Ajo veçon një vështirësi me të cilën ballafaqohet i gjithë stafi mjekësorë gjatë kohës së pandemisë me Covid-19.
Në foto: Nita Ymeraga, Mjeke e përgjithshme
“Për të punuar me rroba speciale mbrojtëse mund të them se është sfida më e madhe. Arsyeja është zhveshja e tyre. Nëse nuk je i kujdesshëm gjatë zhveshjes, mund të infektohesh, pasi ato tashmë janë të kontaminuara gjatë vizitave me pacientët me koronavirus. Por, vazhdimisht ne në klinikë kemi asistuar njëri tjetrin, dhe jemi ruajtur që të jemi të kujdesshëm gjatë zhveshjes, me aq mundësi sa kemi pasur”, tregon doktoresha Nita Ymeraga.

Ndryshe, në Kosovë prej 13 marsit, kur në Kosovë janë paraqitur rastet e para me koronavirus, rreth 350 pjesëtarë të personelit shëndetësor janë infektuar me koronavirus. Prej tyre, 275 vazhdojnë të jenë raste aktive.