Nga e hëna publikohen masat e ndihmës shtetërore për familjet me rrezik social në Maqedoni

Deri në mbrëmje do të finalizohen masat për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve, njoftoi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski.

“Nga e hëna do të kemi masa që mund të shpallen për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve”, tha sot kryeministri.

Ndërsa për kompanitë, Kovaçevski theksoi se ka bisedime të vazhdueshme me odat ekonomike dhe për të ndihmuar biznesin.

“Qeveria bisedon çdo ditë me dhomat e tregtisë se si të ndihmohen kompanitë e mëdha që janë në tregun e lirë. Është duke u përgatitur një paketë masash, e cila duhet të finalizohet në fund të këtij muaji”, tha kryeministri.

Sipas tij, ulja e TVSH-së nuk është vendimtare për uljen e çmimit të energjisë elektrike, e cila është dhjetëfishuar në krahasim me çmimet e para luftës në Ukrainë, por ajo që duhet është rritja maksimale e prodhimit të energjisë elektrike dhe futja e saj në funksionimin e të gjitha objekteve prodhuese.

“Shteti po diskuton për të ndihmuar konsumatorët e mëdhenj që janë në tregun e lirë. Jemi duke diskutuar për sigurimin e energjisë elektrike më të lirë nga burime dypalëshe, me Bullgarinë, Turqinë, Greqinë, Serbinë. Aktualisht është duke u përgatitur një paketë masash, e cila duhet të finalizohet në fund të këtij muaji. Do të merren parasysh karakteristikat e industrive dhe në bazë të një analize të tillë dhe mundësive buxhetore do të ofrojmë mbështetje financiare për kompanitë që janë në tregun e liberalizuar. Për këtë po punohet aktualisht, do të diskutohet me dhomat e tregtisë. Fillimisht do të dalim para tyre dhe më pas para publikut”, potencoi Kovaçevski.

Sa i përket objekteve energjetike, ai bëri të ditur se një prej tyre do të vihet në përdorim të hënën, por nuk ka treguar detaje.

“Të hënën do të bëhet vënia në punë e një tjetër kapaciteti prodhues energjetik. Besoj se në mandatin tim aktual prej nëntë deri në dhjetë muaj do të kemi pothuajse aq kapacitet të instaluar të objekteve të reja të prodhimit të energjisë elektrike sa janë instaluar në 30 vitet e fundit”, theksoi Kovaçevski.

Lidhur me furnizimin me gaz natyror përmes kompanive të treguara nga lideri i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski, ai tha se ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi është ai që duhet të shpallë rezultatin.