“CR-77”, “Toni Montana”, “Mollë 3”, ishin disa nga kodet që janë gjetur të pakot me kokainë që u sekuestruan në Maminas. Gjatë pretencës së dhënë para gjykatës për të pandehur Arbër Çekaj, Armando Pezakun dhe Donaldo Lushajn, prokurori Ervin Kondili pohoi se sasia prej 613 kilogramë drogë, ishte ndarë në disa pako të cilat kishin etiketim të veçantë nga njëra-tjetra.
Kode numerike si ato të makinetës “Enigma” dhe më konkretisht, “BIKE”,“Toni Montana”, “020”, ”CR-77”, “Mollë 3”,“777” dhe “54”, kanë qënë gjuha që trafikantët kishin zgjedhur të komunikonin me njëri-tjetrin, ku dhe do të mereshin vesh për ndarjen e drogës, kur ajo të mbërrinte në Shqipëri. Prokuroria thotë se çdo kod, dyshohet se përfaqësonte një grup kriminal në vend, të cilët kanë bashkuar asetet kriminale me qëllim ngritjen dhe hedhjen në transport detar të kësaj sasie kaq të madhe droge.