Nga arkivi i Clintonit del deklarata e Rugovës në SHBA: Si e njoftoi botën në vitin 1993 me terrorin e Serbisë


Presidenti Rugova kishte deklaruar se atë javë në Amerikë do të njoftonte liderët e Kombeve të Bashkuara dhe liderët e Amerikës për terrorin që po bënte Serbi ndaj shqiptarëve. Për t’u treguar mirë amerikanëve ai kishte marrë shembuj se si po keqtrajtohen sistematikisht shqiptarët. Deklarata është e vitit 1993. Rugova kishte shkuar në Amerikë me një plan dhjetëpikësh përmes së cilit kërkonte nga Kombet e Bashkuara dhe SHBA’ja ndihmë për zgjidhjen e krizës së Kosovës.

“Delegacioni ynë ka ardhur në Amerikë këtë javë me qëllim që t’i informojë udhëheqësit e Kombeve të Bashkuara dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe nëpërmjet mjeteve të informimit edhe popullin amerikan, për shtypjen dhe dhunën në rritje të të gjitha të drejtave civile njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Republikën e Kosovës. Ne jemi këtu për të shpallur një Kartë të Drejtash të Kosovës dhe të propozojmë një plan veprimi dhjetëpikësh për ta zgjidhur krizën e Kosovës dhe për t’i dhënë fund padrejtësisë” kishte thënë Rugova.

“Republika e vuajtur e Kosovës është në fakt problem bosht në krizën aktuale në ish-Jugosllavi. Ekspertët ndërkombëtarë parashohin se nëse Serbia vazhdon fushatën e saj të gjenocidit në Kosovë, ka shumë të ngjarë që konflikti në Ballkan të përhapet edhe në Maqedoni, Shqipëri, Bullgari, Greqi dhe mbase edhe në Turqi. Një luftë tinëzare më e gjerë do të pasonte në Ballkan”, kishte deklaruar Rugova në Amerikë. Rugova ua kishte bërë me dije amerikanëve se populli i Kosovës është i vendosur për të bërë një fushatë të rezistencës paqësore kundrejt ligjit të imponuar serb të luftës.

“Pasojat do të ishin të dimensioneve globale. Me dy milionë shqiptarë të pambrojtur nën mëshirën e makinerisë serbe të armatosur mirë, një masakër e përmasave të mëdha do të ndodhte brenda një kohe të shkurtër. Qeveria ime po punon pareshtur për të parandaluar dhe për ta shmangur këtë mundësi. Populli i Kosovës është i përkushtuar për të bërë një fushatë të rezistencës paqësore kundrejt ligjit të imponuar serb të luftës”, thuhej në fjalimin e Rugovës.

Rugova po ashtu kishte shkruar se në Kosovë mungojnë të drejtat elementare të njeriut, si liria e arsimimit, liria e shtypit, liria për të punuar e liria për të marrë shërbime shëndetësore. Ai kishte bërë të ditur se të gjitha liritë themelore të kosovarëve ishin shfuqizuar nga Serbia.

“Populli ynë jeton nën pushtetin e terrorit, të frikësimeve, keqtrajtimit dhe rrahjeve nga regjimi i Beogradit, i cili ka vendosur gjendjen e jashtëzakonshme në vendin tonë. Liria e shtypit, liria e tubimit paqësor, liria e arsimimit, liria për të punuar, liria e qasjes në kujdesin shëndetësor, liria e shprehjes politike, liria e lëvizjes, liria fetare, liria nga të gjitha format e diskriminimit etnik dhe liria nga kontrolli dhe arrestimi, të gjitha janë shfuqizuar nga Serbia derisa Kosova mbetet pre e peshës gati të papërballueshme të një shteti policor”, kishte deklaruar Presidenti Rugova.

Rugova kishte kërkuar nga Kombet e Bashkuara dhe SHBA’ja që ta përkrahnin Kosovën në planin dhjetëpikësh të cilin e kishte prezantuar.

“1. Vënien e menjëhershme të një numri domethënës të trupave të OKB-së apo të NATO-s në Kosovë; 2. Vënien e Kosovës nën protektoratin e Kombeve të Bashkuara; 3. Vënien e shumë më tepër vëzhguesve të OSBE-së në vendin tonë; 4. Zgjerimin e zonës së ndalim-fluturimit mbi Kosovë; 5. Ndalimin e “spastrimit etnik” të heshtur të Kosovës, i cili po kryhet nëpërmjet kërcënimeve të serbëve; 6. Çarmatimin dhe shpërndarjen e njësive paramilitare serbe, vënien e artilerisë së rëndë serbe nën mbikëqyrjen ndërkombëtare; 7. Rihapjen e Aeroportit të Prishtinës për fluturime të ndihmës humanitare; 8. Ndalimin e kolonizimit të Kosovës nga Serbia; 9. Lejimin që të mblidhet Kuvendi i zgjedhur me vota të lira; 10. Përjashtimin e Kosovës nga sanksionet ndërkombëtare të vëna mbi Serbinë dhe Malin e Zi”, thuhej në pikat e kërkuara nga Rugova.

Ndërkohë, këtë fjalim të vitit 1993 të Presidentit Rugova e ka sjellë në kujstesë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla. “Deklaratë nga Dr. IbrahimRugova, Presidenti i Parë dhe Historik i Republikës së Kosovës në 16 Shkurt 1993 ndërsa ishte në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara. (Nga dokumentet e deklasifikuara së fundmi nga BillClinton Biblioteka Presidenciale)”, ka shkruar Haradinaj-Stublla në Twitter.