Nga 145 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, të enjten në Kosovë është konfirmuar vetëm një rast me COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.
“Rasti pozitiv është rast kontakti nga komuna e Vushtrrisë”, thuhet në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Të enjten nuk është njoftuar, për ndonjë pacient që është shëruar nga koronavirusi i ri.
Deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 1.004 raste të infektuarve, prej të cilëve 29 kanë vdekur dhe 772 janë shëruar.
Në Kosovë rastet e para me koronavirusin e ri u shfaqën më 13 mars.
Deri më tani janë testuar 12.551 persona.
Për të frenuar përhapjen e mëtejmë të virusit, autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente të shëndetit publik.