Nga 1 Marsi turqit dorëzojnë floririn

Floriri nuk është një pasuri personale, por kombëtare. Me këtë ide ministri i financave i Turqisë, Nurretin Nebati ftoi edhe njëherë qytetarët që floririn mos ta mbajnë poshtë jastëkut në shtëpi por ta dorëzojnë.

Në Planin e ri ekonomik Nebati deklaroi se dorëzimi vullnetar i floririt do të nisë nga data 1 Mars. Në 81 qytetet e vendit do të jenë funksionalë 1500 pika që do të kenë vetëm një funksion, do të jenë të hapura për qytetarët të cilët duan ta dorëzojnë floririn. Kështu ky i fundit do të përfshihet në sistemin financiar të vendit. Çdo qytetar do të ketë llogarinë e tij në bankë dhe sasia e floririt që dorëzon do të konvertohet në lira turke që më pas do t’u jepen personave.  Autoritetet garantojnë qytetarët se fitimet e tyre nuk do të cënohen nga luhatjet e kursit.

Kjo nismë u paralajmërua në fund të muajit Dhjetor nga presidenti Erdogan me qëllim forcimin e monedhës vendase Lira e cila gjatë Dhjetorit shënoi rënie historike. Aktualisht lira ka fituar pikë përballë valutave të huaja, por sërish mbetet në nivele të ulëta. Mbetet për t’u parë se si do t’i përgjigjen qytetarët kërkesës së autoriteteve për të dorëzuar floririn dhe sa ndikim do të ketë kjo iniciativë në forcimin e monedhës kombëtare. Nëse qytetarët nuk pranojnë ta dorëzojnë floririn, autoritetet kanë paralajmëruar konfiskim dhe për ta hedhur atë në sistemin financiar.