Neziri: Shqiptarët e Velesit do të arsimohen shqip ashtu siç i ka falur Zoti në trojet e tyre


Kandidati për deputet në njësinë e 3-të zgjedhore, Bekim Neziri ka theksuar se prioriteti i tij në të ardhmen do të jetë arsimi cilësor dhe adekuat për gjithë shqiptarët në komunën e Velesit dhe fshatrat shqiptare për rreth.

Projekti i BDI-së është që gjuha shqipe të mësohet nga të gjithë qytetarët dhë në këtë mënyrë përhapja e saj do të shtrihet në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut.

Gjuha shqipe do të jetë e obligueshme nga klasa e pestë për të gjithë nxënësit, arsimimi parashkollor i deryrueshëm dhe shkolla profesionale për çdo komunë.

Arsimi shqip në komunë e Velesit ka pasur probleme të vazhdueshme sepse nuk ka pasur as profesorë të diplomuar që të japin mësim në gjuhën shqipe në shkollën e mesme të Velesit “Koço Racin”. Deri më tani nuk ka pasur kuadër të mjaftueshëm, por në të ardhmen kjo dukuri duhet të marrë fund sepse shqiptarët po edukohen dhe po marrin pjesën e tyre edhe në këtë shkollë.

Përveç profesorëve, për të mirën e shqiptarëve të Velesit duhet që edhe nxënësit të regjistrohen në këtë shkollë, sepse kur regjistrohen në shkollat e rajonit ku jetojnë përfitimet janë më të mëdha, si për shembull, transporti është falas.

“Do të punoj që që të gjithë nxënësit e Velesit dhe rajonit të Velesit të regjistrohen në shkollën e mesme të Velesit. Bashkë me ministrinë e arsimit do t’iu mundëoshet këtyre nxënësve gjithçka çka është e nevojshme. Nevojitet promovimit dhe inkurajim i nxënësve që të regjistrohen në këtë shkollë”, tha Neziri.

Nëse nuk bëhet përjashtim që paralelja e vetme shqipe në gjimnazin e Velesit të funksionojë me më pak nxënës, e njëjta rrezikon të mbyllet.

“Banorëve të Velesit dhe fshatrave për rreth do t’iu sigurojmë arsim cilësor në gjuhën amtare. Të gjithë duhet t’i arsimojnë fëmijët e tyre sepse pa arsim të mirëfilltë çdoherë do të jemi të shtypur e shkelur nga të tjerët”, tha Neziri.

Partitë maqedonase deri më tani i kanë penguar në forma të ndryshme shqiptarët e këtushëm që të mësojnë në gjuhën shqipe.

Një grup i caktuar i prindërve të nxënësve maqedonas të shkollës fillore “Todor Janev” të komunës Çashkë të Velesit kanë protestuar disa herë duke mos lejuar fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë sepse kanë kundërshtuar hapjen e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë. Për shkak të mungesës së mësimit shqip në këtë shkollë, nxënësit shqiptarë të fshatrave rreth Çashkës janë të detyruar të mësojnë në gjuhën maqedonase që nga klasa e parë e deri në atë të nëntë.

Nacionalizimi maqedonas është aq agresiv saqë çdo përpjekje për mësim në gjuhën shqipe bllokohet në format më të dhunshme.

“Arsimimi i qytetarëve tanë nuk duhet të jetë pengesë për asnjë qytetar tjetër në vend, prandaj sigurojmë që kjo dramë të marrë fund”, tha Neziri.

Në shkollën “Todor Janev” të Çashkës mësojnë mbi 120 nxënës prej të cilëve 41 janë nxënës shqiptarë të cilët vijnë nga fshatrat Banjicë, Bosillcë, Starigrad dhe disa të tjerë.

Problem të njejtë me arsimin shqip kanë edhe nxënësit shqiptar në fshatin Karasllar të Velesit të cilët po mësojnë në gjuhën maqedonase.

Sipas ligjit për arsimin fillor, Neni 2: “Ndalohet diskriminimi në bazë të gjinisë, racës, përkatësisë nacionale, sociale, fetare…”, ndërsa Neni 3: “Qëllimet e edukimit dhe arsimit fillor janë: – zhvillimi i vetëdijes te nxënësit për përkatësinë e Republikës së Maqedonisë dhe kultivimi i identitetit të vet nacional dhe kulturor. Kjo vërteton se askush nuk ka mundësi në të ardhmen të luaj me shqiptarët.

Arsimi shqip do të lulëzojë edhe në Karasllar, Banjicë, Vranivcë e Poshtme, Starigradi, Sogleja, Novosella e tj.

“Prindërit shqiptarë të këtyre fshatrave nuk do të jenë të detyruar t’i dërgojnë fëmijët e tyre nëpër shkollat me mësim në gjuhën maqedonase”, tha Neziri, duke potencuar se nuk do të lejohet që të shkohet drejt asimilimit të qëllimshëm që gjithë shqiptarët nesër mos dinë shkrim e lexim në gjuhën amtare.

BDI ka vizion të qartë që zëri i shqiptarëve në Veles të dëgjohet dhe mos të vjen deri te shuarja e kësaj pjesë të shqiptarisë edhe pse presioni nga partitë e deritanishme maqedonase, LSDM e VMRO DPMNE ka qenë tepër i madh.