Neziri: Me fondet IPARD dhe subvencione do të shpaguhet djersa e bujqve dhe blegtorëve të Velesit

Banorët shqiptarë të Velesit janë ndër bujqëiot dhe blegtorët më të njohur në Maqedoninë e Veriut, të cilët me djersën e tyre dhe punën hallall kanë mundur t’iu mbijetojnë të gjitha formave të furtunave që kanë fryrë mbi këto treva.

Por padrejtësitë e vazhdueshme që iu bëhen kanë bërë që shumë prej këtyre banorëve të marrin rrugën e emigrimit, sepse bujqësia dhe blegtoria nuk po mund t’i kënaqin nevojat e tyre.

Kandiati për deputet nga ana e BDI-së në zonën e 3-të zgjedhore, Bekim Neziri iu garanton qytetarëve të këtyre zonave se do të angazhohet për ndarje të drejtë të subvencioneve dhe fondeve të ndryshme që shteti i ndan për bujqësi dhe blegtori.

Numri i fermerëve të angazhuar në prodhim organik po rritet çdo ditë e më shumë në komunën e Velesit dhe atë të Çashkës, prandaj nëpërmjet IPARD fondeve dhe Agjencisë për Promovimin e Bujqësisë do të realizojnë projekte edhe në dobi të bujqve dhe blegtorëve shqiptarë.

“banorët e këtyre anëve kanë një praktikë të mirë bujqësore dhe me ndihmën time do t’iu ofroj projekte në modernizimin e bujqësisë organike dhe edukimin e fermerëve, që është çelësi i bujqësisë organike të suksesshme. Numri i fermerëve që kultivojnë ushqim organik nga viti në vit në këtë komunë është në rritje, prandaj do të kërkojmë që edhe shqiptarët të angazhohen sa më shumë në këto projekte”, tha Neziri.

Djathi organik cilësor dhe produktet e tjera të qumështit, mishi, prodhime kopshtare dhe pemët të cilat prodhohen në këtë rajon janë gjithnjë e më të pranishme në tregjet e Velesit, Shkup dhe rajonit.

Për patatet, mollët, kumbullat, aroninë, të prodhuara në mënyrë organike, fermerët në këtë rajon nuk kanë asnjë problem të shitjes.

Për produktet organike të prodhuara, fermerët morën certifikata që është karta e tyre e identitetit për prodhim të shëndetshëm. Por, pak prej shqiptarëve i kanë marrë këto certifikata dhe prandaj do të punohet që edhe bujqit shqiptarë të janë pjesë e zhvillimit bujqësor.

“Interesi i fermerëve për prodhimin e ushqimit të shëndetshëm po rritet. Prodhimet në këto zona rriten në një mjedis të pastër dhe pa ndotje. Kjo është ajo që na jep besim se numri i fermerëve shqiptarë do të rritet dhe se ushqimi i shëndetshëm do të vendoset në treg”, tha Neziri.

Kandidati Neziri ka theksuar se bashkë me Agjencinë për financim dhe mbështetje të bujqësisë dhe zhvillimit rural, do të organizohen takime informuese nëpër të gjithë fshatrat shqiptare të Velesit me qëllim që të njoftohen banorët se si t’i shfrytëzojnë IPARD fondet.

“Kjo zonë është një nga më të rëndësishmet për bujqësinë vendore, por edhe për industrinë e përpunimit, kështu që është shumë e rëndësishme banorët e këtyre anëve të njihen me kohë për të gjitha rregullat dhe procedurat që duhen ndjekur për të përdorur fondet në dispozicion që janë ndarë për Maqedoninë e Veriut përmes programit IPARD. Për momentin, me Masat 1 dhe 3, janë në dispozicion 25 milion euro”, tha Neziri.

Ai shtoi se është një përparësi kryesore për të përdorur sa më shumë fonde nga programi IPARD 2, i cili do t’i mundësojë ekonomisë së brendshme të krijojë produkte me vlerë të shtuar me fonde evropiane, të cilat do të jenë konkurruese, gjë që do të sigurojë një zhvillim më të madh ekonomik.

Me të gjitha këto angazhime shqiptarët e Velesit do t’i shmangen s amë shumë emigrimit jashtë shtetit dhe do të jenë zotëritë e shtëpive dhe tokës së tyre.