Nesër vendimi për Zaevin, të mërkurën i takon Gruevskit


Java e ardhshme do të karakterizohet me vendime të rëndësishme gjyqësore. Zoran Zaev të hënën, Nikolla Gruevski të mërkurën, do të dëgjojnë nëse janë fajtorë apo jo në rastet “Mitmarrja” ose “Tanku”. Kryeministri do ta mësojë i pari vendimin e Gjykatës Penale. Prokuroria rastin e rikualifikoi dhe nga marrja ryshfet, Zoran Zaevi akuzohet se ka kërkuar vetëm një çmim nga biznesmeni i Strumicës, Ivan Nikolov. Me rikualifikimin e lëndës, videoja e regjistruar me masa të posaçme hetimore në kabinetin e Zaevit gjatë udhëheqjes me Strumicën, nuk do të jetë dëshmi. Ndryshimi i aktakuzës e reduktoi gjithashtu dënimin e mundshëm të burgut për “Ryshfet” nga të paktën pesë, me një deri në pesë vjet burgim.

Të mërkurën, Gjykata Themelore Shkupi 1 duhet ta publikojë vendimin e parë ku akuzohet ish-kryeministri Nikola Gruevski. Procesi për blerjen e Mercedesit të blinduar luksoz prej 600 mijë eurosh përfundoi, dhe përveç Gruevskit u akuzua edhe ish ndihmës ministri për prokurime publike në Ministrinë e Brendshme, Gjoko Popovski. Nëse miratohet kërkesa e Speciales, Gruevski kërcënohet me dënim me burg prej një deri në tre vjet, ndërsa Popovski minimum pesë vjet.

Të martën, është caktuar seancë edhe për shpalljen e vendimit për rastin “Treqind”. Kjo lidhet me prokurimin e treqind automjeteve për policinë, kryesisht Shkoda jeti. Përsëri akuzohet Gjoko Popovski, përgjegjës për prokurime publike në polici, derisa ministrinë e drejtoi VMRO-DPMNE. Në fjalët përfundimtare, Popovski theksoi se gjatë procedurave gjyqësore ka pasur presione, por nuk zbuloi nga cila qendër e pushtetit i erdhën kërcënimet. Ai për shpërdorim të detyrës në këtë rast përballet me një dënim të mundshëm me burg prej 4 deri në 15 vjet dhe një kërkesë nga Specialja të kthejë pothuajse gjysmë milioni euro.

Megjithatë, Gruevski dhe Zaev, nëse dënohen në rastet ku janë akuzuar, mund të nxirren me dënime me kusht, sepse nuk janë dënuar më parë. Ky opsion lehtësues nuk mund të vlejë për Gjoko Popovskin për shkak të kohëzgjatjes së dënimit të mundshëm. Për të tre, përveç dënimit, ekziston mundësia e aktvendimit të lirimit.