Nesër nis vaksinimi masiv, pritet të vaksinohen mbi 20 mijë qytetarë në ditë

Arritja e 200 mijë vaksinave kineze gjatë javës së kaluar, mundëson imunizimin masiv të popullatës. Nga nesër pritet të fillojë imunizimi me vaksinën Sinofarm kundër Kovid-19 në Shkup, por edhe në Qendra Rajonale të vaksinimit në Kumanovë, Tetovë, Kavadar, Shtip, Ohër, dhe Manastir. Sipas autoriteteve shëndetësore, numri i të vaksinuarve në nivel ditor pritet të arrijë në 20 mijë persona, ndërsa, sipas numrit të paraqitur të qytetarëve do të shpërndahen edhe vaksinat.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe ka paralajmëruar se deri në fund të muajit maj punkte të vaksinimit masiv do të ketë edhe në Veles dhe Prilep.
Sipas ministrit të Shëndetësisë, gjatë javëve në vazhdim priten të arrijnë edhe 600 mijë vaksina kinezë të kompanisë Sinofarm, 26 mijë vaksina nga Fajzer, 200 mijë ruse dhe më shumë se 100 mijë doza të cilat janë si ndihmë nga sistemi i solidaritetit përmes BE-së, ndërsa, nga kompania AstraZeneka do të arrijnë 76 mijë doza.

Institucionet kompetente bëjnë të ditur se procesi i imunizimit po zbatohet mirë në të gjitha qytetet dhe do të vazhdojë në të njëjtën mënyrë. Imunizimi po bëhet sipas strategjisë, pjesa më e madhe e vaksinave janë për të moshuarit ndërsa një pjesë tjetër për disa të punësuar tjerë.

Filipçe para disa ditësh i bëri thirrje opinionit që të vaksinohen më cilën do vaksinë, sepse të gjithë janë të sigurta, ndërsa respektimi i masave siç tha ai duhet të vazhdojë edhe pas vaksinimit. Deri më tani në vendin tonë janë vaksinuar mbi 150 mijë qytetarë., kurse përmes aplikacionit online janë paraqitur 218.577 qytetarë.