Nesër nis fushata elektorale për krerët e 80 komunave

Të hënë fillon fushata për zgjedhjet lokale të caktuara për 17 tetor. Për kryetar komunash garojnë 301 kandidat, ndërsa mbi 10,600 kandidat për këshilltarë komunal. Më së shumti kandidat për kryetar ka për Qytetin e Shkupit, respektivisht 12, ndërsa Struga dhe Dollneni kanë nga 8 kandidat. 24 janë kandidat të pavarur. Nga kandidatët për kryetar komune vetëm 25 prej tyre janë femra.

Gara më e ashpër nga bllokun politik maqedonas do të zhvillohet për Qytetin e Shkupit mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNEsë. Garë e ashpër mes socialdemokratëve dhe të djathtës zhvillohet edhe në Butel, Aerodrom, Qendër dhe qytetet e mëdha si Manastiri, Kumanova, Velesi, Ohri dhe Prilepi. Në bllokun politik shqiptarë gara më e nxehtë pritet në Tetovë mes BDI-së dhe opozitës shqiptare ASH-AAA. Situatë e njëjtë mes dy palëve pritet edhe në Çair, Gostivar dhe Strugë.

Të drejtë vote kanë 1 824 864 qytetarë. Për herë të parë në Maqedoni të Veriut do të votohet me “fingerprint” ose aparate që detektojnë vijat papilare të votuesve. Edhe këto zgjedhje do të organizohen nën masa anti-Kovid, duke u bërë zgjedhjet e treta me radhë që organizohen në kushte të tilla pas zgjedhjeve lokale në Shtip dhe Pllasnicë për shkak të dorëheqjeve të kryetarëve dhe zgjedhjeve parlamentare në korrik të vitit kaluar.
Fushata përfundon më 15 tetor, pason heshtja zgjedhore dhe dita e votimit. Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 31 tetor.