Nesër mblidhet KSI, shqyrtohen masat kundër Covid-19

Rritet numri i të shtruarve në spital si pasojë e virusit Korona. 67 persona me Kovid janë hospitalizuar gjatë 24 orëve të fundit, derisa nëpër repartet infektive të kryeqytetit po trajtohen 463 pacientë. Në Qendrat Kovid trajtohen 619 pacientë ndërkaq si pasojë e numrit të shtuar të personave që kanë nevojë për hospitalizim në Klinikën e Traumatologjisë është hapur Qendra Kovid. Ministria e Shëndetësisë thotë se ka shtretër lirë. Për shkak të rritjes së numrit të të prekurve ditëve të fundit Komisioni i Sëmundjeve Ngjitëse të mërkurën do të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar nëse do vendosen masa të reja restriktive.

Autoritetet për ALSAT njoftuan se të gjitha opsionet janë të hapura. Ndërsa rriten numrat dhe diskutohen masat Maqedonia e Veriut ende nuk ka vaksina për qytetarët. Kryeministri Zaev ka deklaruar se është i dëshpëruar nga Bashkimi Evropian lidhur me furnizimin me vaksina. Ndërkohë një sërë shtetesh, përfshirë Gjermaninë, Francën, Italinë, Slloveninë kanë tërhequr përkohësisht nga përdorimi vaksinën “ Astra Zeneca” pasi për të njejtën është raportuar se ka shkaktuar mpiksje të gjakut tek disa persona të cilët janë vaksinuar. OBSH ka thënë se të dhënat në dispozicion nuk flasin për një gjë të tillë, duke rekomanduar të vazhdohet me vaksinimin.

“Shumë shtete e kanë pezulluar përdorimin e vaksinës “Astra Zeneca” si masë parandaluese pas raportimeve për mpiksje të gjakut. Kjo jo domosdoshmërish do të thotë se këto ngjarje lidhen me vaksinimin. Por është rutinë praktike të hulumtohet kjo gjë, dhe të tregohet se sistemi i mbikëqyrjes funksionon dhe se kontrollet efektive janë në rregull. Shërbimet e OBSH-së mbi sigurinë e vaksinës po i shqyrtojnë të dhënat në dispozicion dhe është në kontakt të afërt me Agjencinë Evropiane për Mjekësi”, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtor i Organizatës Botërore të Shëndetit.
Ndërkohë në vend vazhdon vaksinimi i personelit mjekësor me Sputnik dhe rivaksinimi me Pfizer. Deri më sot gjithsej janë vaksinuar rreth 5000 punonjës shëndetësor.