Nesër fillon ora policore! Spasovski: Më mirë masa restriktive, se sa ngarkim i sistemit shëndetësor


Vendi prej nesër përsëri në orë policore. Kufizimi i lëvizjes do të fillojë nga ora 22 e mbrëmjes e deri në ora 5 e mëngjesit, dhe kjo masë anti-kovid do të jetë në fuqi deri më 22 mars. Ndalesa e lëvizjes së lirë vlen edhe për automjetet e transportit publik. Kryeministri Zaev tha se për zgjatjen eventuale të orës policore do të vendosin autoritet shëndetësore.
“Sidoqoftë e kemi parasysh se në prill vijon agjërimi i Ramazanit dhe festa të tjera. Vendimi ka po ashtu edhe rol parandalues, përskaj shkakut, që është rritja e numrave. Po ashtu u miratua masa e karantinës së detyrueshme për qytetarët tanë që kthehen nga Afrika dhe u obligua Sekretariati i Përgjithshëm të sigurojë objekt për karantinë shtetërore për të huaj që vijnë nga Afrika”, tha Zoran Zaev – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Ora policore vjen si pasojë e rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus dhe ka për qëllim parandalimin e shpërndarjes, tha Zaev, ndërsa njeriu i parë i policisë, Oliver Spasovski, tha se masat restriktive janë të domosdoshme për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
“Vendimet që duhet patjetër t’i marrim, askush nuk i dëshiron, por ato janë rezultat i sjelljes së të gjithë neve. Nëse nuk i respektojmë rekomandimet, nëse nuk mbajmë maskë mbrojtëse, nëse grupohemi dhe bëjmë ngjarje që sigurisht nënkuptojnë përhapjen e virusit, atëherë shteti duhet të reagojë në një moment”, u shpreh Oliver Spasovski – Ministër i Punëve të Brendshme.

Nga VMRO-DPMNE thonë se si është e mundur nga njëra anë shteti po zhvillon procesin për regjistrimin e popullsisë e nga ana tjetër vendos për orë policore.
“Kjo është dyfytyrësi, është rrezik për shëndetin publik dhe është e palogjikshme. Zotërinjtë të LSDM-së, koha është për dorëheqje sepse jeni më të këqijtë në botë, me numra më të këqij, me më së paku vaksina dhe me shumë viktima nga Covid-19”, tha Vllatko Gjorçev nga VMRO-DPMNE.

Vendimi për ndalesën e lëvizjes nuk vlen për udhëtarët të cilët vijnë ose largohen nga aeroportet ndërkombëtare, udhëtarët në transportin ndërkombëtar, për transportuesit e personave dhe mallrave të cilëve si leje do të pranohet urdhëresa për udhëtim, ndërsa transportuesit që kalojnë transit do të kenë obligim që më së shumti për 3 orë ta lëshojnë vendin prej një në vendkalimin tjetër kufitar. Përjashtime nga ndalesa do të ketë edhe për të gjithë qytetarët të cilët kanë nevojë për kujdes mjekësor urgjent dhe për lëvizje të lirë, këtë nevojë do të duhet ta paraqesin në numrin e telefonit 192 në shërbimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Me hyrjen në fuqi të orës policore, qytetarët të cilët paraprakisht kanë pasur leje për qarkullim gjatë kohëzgjatjes së saj, të njëjtat do të mund t’i përdorin edhe prej ditës së nesërme. Leje për qarkullim gjatë orës policore, do të mund të kërkojnë nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës ato persona të cilët ose kanë humbur lejet paraprake, ose janë punësuar në ndërkohë pasi ka përfunduar të vlejë masa – ora policore.