Nesër fillon aplikimi për bursa për studentë

Nesër fillon aplikimi për ushtrimin e të drejtës për bursë studentore, informoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH). Në pajtim me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në konkursin për vitin akademik 2021-2022, afati i fundit për aplikim është 15 tetor 2021.

Nga Ministria theksojnë se nga ky vit, procedura për aplikim për bursë është digjitalizuar përmes portalit http://e-uslugi.mon.gov.mk, i cili thjeshton ndjeshëm mënyrën e ushtrimit të së drejtës. Studentët që nuk kanë mundësi të aplikojnë në mënyrë elektronike, plotësojnë fletëaplikim në letër (listë evidentuese) dhe dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

“MASH dhe Qeveria këtë vit vendosën konsiderueshëm të ndryshojnë politikën e bursave për studentë, në mënyrë që të plotësojnë nevojat e sa më shumë të rinjve, por edhe të marrin shuma mujore të shtuara që realisht do të ndiejnë mbështetjen të cilën e siguron shteti gjatë procesit arsimor. Kështu, për shumicën e kategorive të bursave për studentë, shumat mujore janë rritur, diku me mbi 80 për qind”, kumtuan nga Ministria.

Gjithashtu, siç thuhet në kumtesë, nesër fillon edhe dorëzimi i dokumenteve për vazhdim e së drejtës për bursë të fituar në një nga vitet e kaluara akademike, për të cilat çdo shfrytëzues që i plotëson kriteret e marrëveshjes së nënshkruar me MASH, dorëzojnë vërtetim për regjistrimin e semestrit të ardhshëm, gjegjësisht vitin e studimit, certifikatë / vërtetim për provimet e parapara dhe të dhëna me sukses nga vitet e kaluara dhe indeksin në shikim, si dhe dëshmi që ka dhënë 80 për qind ose 90 për qind (varësisht nga lloji i bursës që shfrytëzon ) të provimeve të parapara.

“Dorëzimi i dokumenteve bëhet në mënyrë elektronike përmes shërbimeve elektornike, ndërsa nëse studenti nuk ka mundësi, të njëjtat t’i dorëzojë në letër në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Afati i fundit është 30 tetor 2021. MASH siguron mbështetje gjatë aplikimin për çdo kandidat të interesuar për bursë për studentë përmes Sektorit për standardin e studentëve. Kontaktet personale të punonjësve në këtë sektor janë të shënuara në linkun në vazhdim”, theksojnë nga Ministria.