Nëse vazhdon moti i ftohtë, ngrohja mund të lëshohet më herët

Edhe pse sezoni i ngrohjes fillon zyrtarisht më 15 tetor, prodhuesit dhe shpërndarësit e energjisë termike në Shkup, janë të gatshme që të lëshojnë ngrohjet nëpër shtëpitë e qytetarëve më herët, nëse temperaturat vazhdojnë të bien. Këtë e paralajmëroi kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë Marko Bislimovski i cili tha se parakusht për tu lëshuar ngrohje, do të jetë rënia e temperaturave nën 12 gradë.

MARKO BISLIMOSKI, KRYETAR I KRRE-SË

“Me rregullat për furnizim me energji termike, është paraparë që sezoni i ngrohjes, të fillojë më 15 tetor. Në rast se ka ulje të temperaturave, më herët që mund të fillojë sezoni është 1 tetori. Deri tani kemi marrë njoftim se në qoftë se temperaturat bien nën 12 gradë, atëherë prodhuesit dhe shpërndarësit e energjisë termike, mund të fillojnë sezonin që nga dita e hënë”

Bislimovski kujtoi se po të niste sezoni i ngrohjes më herët se në tetor, do të shkaktohej kaos nëpër ngrohtore dhe do bëheshin harxhime shtesë, që do të shkaktonin rritjen e faturave të qytetarëve.

MARKO BISLIMOSKI, KRYETAR I KRRE-SË

“Shtëpitë ende janë të ngrohta shkaku i motit të ngrohtë të periudhës së kaluar, dhe realisht, nuk ka nevojë që sezoni i ngrohjes të fillojë në shtator, pasi edhe ashtu do të ishim shteti i parë në rajon që do të bënte një gjë të tillë. Në fund, të gjithë harxhimet që bëhen në një regjim të jashtëzakonshëm pune nëpër ngrohtore, do të ishin shumë më të larta dhe kjo do të ndikonte edhe në rritjen e çmimit për ngrohje”

Gjatë periudhës së ardhshme do bëhen rregulla të reja për furnizim me ngrohje, dhe do të shqyrtohet mundësia që në të ardhmen, sezoni i ngrohjes të mund të fillojë para 15 tetorit, nëse paraqitet nevoja. Por, ndryshimet eventuale do të bëheshin vetëm duke u siguruar se nuk do të rriteshin harxhimet e prodhimit dhe shpërndarjes./Pacensure